Ai kishte hyrë prej kohësh në krim. Madje ka bërë edhe burg. Ajo i lutej ta linte këtë rrugë, pasi nuk kishte kryer asnjëherë ndonjë vepër penale. Megjithatë, vajza e la pafajësinë pas dhe u rreshtua përkrah tij për shkak të dashurisë. Nuk po tregojmë filmin Boni dhe Klajd që personifikon historinë e krimit të rrugës, por edhe të aventurave që vijnë nga dashuria dhe që zuri vend edhe në muzikë përmes këngëve. Kjo është historia në miniaturë e Astrit Thaçit dhe të dashurës së tij, Adela B., që të dy të arrestuar, pas një serie vjedhjesh të kryera në tri qytete, ku nuk kanë munguar armët, bizhuteritë e florinjta dhe natyrisht edhe arratisja derisa ata ranë në “kurthin e policisë”.
Kush është Adela?
Adela është 19 vjeç nga Kombinati. Ajo pritet të dalë para Gjykatës së Durrësit për akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Vajza ishte duke e pritur partnerin disa orë pasi Astrit Thaçi kishte kryer një sulm të armatosur në një argjendari në qytetin e Elbasanit. Madje, policia pohon se ishte duke ndjekur lëvizjet e 19-vjeçares në zonën e Yzberishtit, teksa po e priste me ankth që ai të kthehej nga Bathorja. Gazeta “Si” mëson se ky veprim i policisë erdhi menjëherë sapo identifikuan se kush fshihej pas sulmeve të armatosura të ditëve të fundit edhe në dyqane, ku kamerat e sigurisë filmonin mirë dhe ku grabitësi mendonte se ndërkohë po maskohej nga një kapele e zezë. Orët përpara se t’i hidheshin prangat, Policia e Tiranës tregon se shpesh 27-vjeçari e fikte telefonin, kur e dashura e telefononte me ankth. Derisa agjentët e krimeve janë bindur se pikërisht i riu që u ul me vajzën e re në kafene ishte pikërisht grabitësi, ata janë sulur në drejtim të tavolinës së tyre.
Kur policia i vendosi prangat secilit prej tyre, e reja shpërtheu në të qara. Ajo tha vetëm kaq: Prisja një unazë prej tij sot. Ishte pikërisht një ditë pas Shën Valentinit. Por nuk mund të kuptohet nëse kjo do të thoshte që Adela priste propozim prej të dashurit grabitës, apo priste prej tij diçka si dhuratë pas sulmit në Elbasan, nga ku ai rrëmbeu unaza floriri, varëse e ora. E pyetur më vonë nga policia, Adela rrëfeu historinë e dashurisë që nisi nga rrjetet sociale dhe që siç kuptohet asaj i ndryshoi rrjedhën e jetës. Natyrisht në drejtimin e gabuar.
Adela: U njohëm në Facebook. Në muajin dhjetor. Më pas u lidhëm. Nuk kam qenë asnjëherë dakord që të merrej me këto punë, pastaj nuk kisha çfarë të bëja.
Por vajza nuk pranon që ta ketë ndihmuar grabitësin, një deklaratë që vihet në dyshim nga oficerët e policisë që këmbëngulin se gjatë sulmeve në Tiranë, grabitësi ishte strehuar e fshehur nga partnerja. Por për këtë gjë duhen prova për të bindur gjykatën se çifti ka vepruar bashkërisht në sulmet e së paku tetë rasteve, më e rënda ajo ku mbeti i plagosur shtetasi Rexhep Tereziu.
Nga aktet që Gazeta “Si” disponon thuhet se Astrit Thaçi ka dyshime të jetë gjithashtu një përdorues droge. Nga kartela policore rezulton që 27-vjeçari me banim në zonën e Plazhit Durrës, të jetë kthyer në Shqipëri gjashtë muaj më parë. Mendohet që ai ka hyrë në rrugën e kriminalitetit në moshën 19-vjeçare dhe rezulton i skeduar nga policia italiane. Madje, ai ka vuajtur dënim në një burg në Itali, pas një grabitjeje të armatosur në zonën e Lombardisë. Ditën kur u arrestua, pas identifikimit nga kamerat e sigurisë në argjendarinë në Elbasan, Thaçit ju gjetën me vete në trup 17 varëse floriri, dy orë floriri dhe 20 byzylykë.
Policia e Tiranës dyshon se më herët ai kishte shitur një pjesë të tyre në një argjendari në kryeqytet dhe për këtë shkak në pranga ka rënë edhe një person i tretë.
Kallëzimi në polici dy ditë para goditjes në Elbasan
Gazeta “Si” po sjell ekskluzivisht detaje shtesë nga një tjetër kallëzim i dorëzuar pranë policisë së kryeqytetit dhe pikërisht në datën 12 shkurt, ku një qytetar ka njoftuar policinë se ishte sulmuar në agjencinë turistike që gjendet në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Qytetari tregon se personi i armatosur i ka drejtuar pistoletën menaxheres, duke i thënë “shpejt paratë”, por ndërkohë menaxheri i ka treguar sirtarët bosh, duke shtuar se nuk kishin bërë asnjë xhiro. “Ai kaloi në pjesën e banakut, i hapi vetë dhe pastaj i përplasi”, shton kallëzuesi që kujton se më pas grabitësi i armatosur “kaloi te pjesa e pasme ku zakonisht lëmë çantat dhe mori prej aty një çantë sporti”. Kamerat e sigurisë tregojnë se grabitësi ka ngjashmëri me Astrit Thaçin.
Rasti i dytë që Gazeta “Si” disponon ka ndodhur në të njëjtën ditë, ora 21.00 dhe me protagonist të njëjtin person siç edhe e tregojnë kamerat e sigurisë. Denoncues është shtetasi A. N, me detyrë përgjegjës turni në një supermarket pranë rrugës “Kongresi i Lushnjës”. Arben N. i tregon policisë.
Arben. N: Në supermarket hyri një person, i cili u drejtua nga kasa, nxori një pistoletë nga brezi dhe e mbushi. Provoi ta hapte kasën, por kasa ishte e mbyllur dhe pa çelës në të. Në atë moment unë hapa derën dhe thirra “hajdeni shpejt… hajduti”. Ai menjëherë është rrotulluar dhe ka dalë nga supermarketi dhe ka shkuar në drejtim të lokalit “Gjino”, duke u larguar me vrap.
Policia pyet: A keni mundur ta fiksoni këtë person?
Arben N.: Unë kam konstatuar se personi është i gjatë 1.78 cm, i veshur me xhup dhe me kapele në kokë.
Policia: A ka vjedhur ndonjë send ky person?
Arben N: Ky person nuk arriti të vjedhë asnjë send.
/Gazeta Si