Politika Shqipëria zëvendëson Britaninë? The Guardian citon Ramën: BE na ka lënë disa...

Shqipëria zëvendëson Britaninë? The Guardian citon Ramën: BE na ka lënë disa herë në altarin e martesës

Komentet e kryeministrit Edi Rama se do të donte që flamuri shqiptar të zëvendësonte atë britanik pas Brexit kanë marrë vëmendje edhe nga mediat e Londrës.

Shumë prej tyre janë ndalur tek komentet e kryeministrit, duke thënë se Shqipëria është zhgënjyer vazhdimisht nga Bashkimi Europian, i cili po shtyn prej dy vitesh hapjen e negociatave.

Në një artikull, gazeta britanike “The Guardian”, citon kryeministrin Edi Rama, duke shkruar se Shqipëria është “përgatitur disa herë për martesë, por është lënë në altar nga BE-ja.”

“Rama ka minimizuar pritshmëritë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE, pasi ai e krahasoi vendin e tij me të dashur të mashtruar”, shkruan “The Guardian”. “Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë në mars nëse do të vendosin të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me Francën që ka bllokuar deri më tani nisjen e bisedimeve”, thekson gazeta.

“Ju lutemi mos flisni për marsin” u tha Rama gazetarëve, duke iu referuar samitit të ardhshëm të liderëve të BE. “Ne jemi si të dashuruar që presim të martohemi dhe pala tjetër nuk shfaqet në altar. Dhe imagjinoni, ne përgatitemi për martesë, gjithçka është gati, por partneri ynë nuk shfaqet, kështu që le të mos flasim për data ose muaj”, tha kryeministri.

Artikulli i “The Guardian”

Rama ngacmoi jo pak mediat britanike, por edhe të pranishmit në Konferencën e Donatorëve kur u shpreh se do ishte i lumtur sikur flamuri shqiptar, të ngrihej e të zëvendësojë flamurin britanik pas largimit nga Bashkimi Evropian.

“Ju patët vetë tërmetin tuaj me Brexit, dhe isha kaq i trishtë, dhe sa çudi ishte për mua që vij nga një vend i vogël që kërkon të hyjë në BE, ndërsa Britania një vend i madh del jashtë. Do isha i lumtur sikur flamuri shqiptar, të ngrihej të zëvendësojë flamurin britanik, por e di se nuk funksionon kështu”, u shpreh Rama.

Duke e përshkruar vendimin e BE për të vënë veton ndaj bisedimeve si një “tërmet politik” një muaj para lëkundjes së vërtetë sizmike, ai këmbënguli se kishte bërë gjithçka të nevojshme për të hapur bisedimet e pranimit.

“Por Franca, Danimarka dhe Hollanda nuk ishin të bindura, duke hedhur poshtë vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian mbi përparimin e Shqipërisë për shkak të krimit të organizuar”, shkruan “The Guardian”. “Rama tha se metodologjia e re duket e mirë, duke shtuar se ai kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me presidentin francez, Emmanuel Macron. Ai tha se Shqipëria ishte dëm kolateral i përplasjeve brenda BE-së, duke përmendur vështirësitë e bllokut me shumicat e dobëta, partitë anti-europiane dhe populizmin”, shton gazeta.