Agjencitë amerikane të inteligjencës bëjnë me dije se ka rrezik real nëse Kievi vendos të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusi. Lajmi e ka bërë të ditur media amerikane New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë, të cilët besojnë se Moska ndoshta do të përgjigjet me dhunë edhe më të madhe dhe tepër vdekjeprurëse.
Inteligjenca amerikane gjithashtu minimizon efektin që raketat me rreze të gjatë mund të kenë në rrjedhën e konfliktit, sepse ukrainasit aktualisht kanë një numër të kufizuar armësh.
Gjetjet e inteligjencës amerikane mund të ndihmojnë në shpjegimin pjesërisht se pse vendimi ka qenë kaq i vështirë për Presidentin amerikan Joe Biden dhe të tregojnë presionet e brendshme ndaj tij për t’i thënë jo kërkesës së Zelensky për sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi.
Zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti për New York Times, për të diskutuar çështjet e inteligjencës dhe diskutimet e brendshme, thanë se mbetet e paqartë se çfarë do të vendoste në të ardhmen Joe Biden.
Udhëheqësit britanikë kanë qenë më pak kundërshtues ndaj rrezikut. Ata kanë shprehur mbështetje për lejimin e ukrainasve që të përdorin raketat me rreze të gjatë veprimi që ata kanë furnizuar për sulme në thellësi të Rusisë, por ata kanë pritur që zoti Biden të marrë një qëndrim për këtë çështje përpara se të autorizojë sulmet pasi përgjigja e mundshme ruse mund të kanë implikime për sigurinë për koalicionin në tërësi.
Retorika e Vladimir Putin ka qenë luftarake ditët e fundit në pritje të një vendimi për sulme me rreze të gjatë dhe të paktën disa nga këshilltarët kryesorë të Biden besojnë se ai ka të ngjarë të përgjigjet me forcë vdekjeprurëse nëse vendimi shkon sipas planit të Zelensky.
Megjithatë agjencitë e inteligjencës amerikane shprehin dyshime se, edhe nëse ukrainasve do t’u lejohej të përdornin raketat me rreze të gjatë veprimi, ata do të kishin mjaft të vështirë për të ndryshuar rrjedhën e konfliktit në një mënyrë thelbësore.
Për më tepër, pas sulmeve të para, thanë ata, rusët ka të ngjarë të zhvendosin depot e municioneve, postet komanduese, helikopterët sulmues dhe funksione të tjera jetike të fushëbetejës jashtë rrezes së raketave.