Në takimin e Dhomave të Tregtisë, ministri Ahmetaj pasi falënderoi organizuesit për këtë aktivitet uroi që Tirana të kthehet në një qendër e përvitshme e këtij takimi, duke mbledhur kështu investitorë të huaj dhe nga rajoni.
Ahmetaj pohoi se ekonomia shqiptare ka kaluar në një cikël të rëndësishëm konsolidimi dhe korrigjimi, e për pasojë ekonomia e vendit është rritur mbi 4 për qind.
“Për sa i përket ekonomisë shqiptare ajo ka kaluar një cikël të rëndësishëm konsolidimi dhe korrigjimi. Sot ekonomia e Shqipërisë rritet mbi 4 për qind, sipas parashikimeve të FMN me rishikimin e fundit të shtatorit, Shqipëria do të jetë vendi me rritjen më të madhe pas Rumanisë në bllokun e vendeve ish komuniste. Synimi ynë është që të kemi një rritje ekonomike 5 ose 6 për qind në fund të mandatit të dytë. Në fokus të politikave tona ka qenë edhe ulja e borxhit publik. Angazhimi ynë është të nxitim një mjedis të përshtatshëm për biznesin.”
Ministri ka përmendur ligjet dhe reformat që janë ndërmarrë, por njëkohësisht ka folur edhe për lehtësitë që janë krijuar në favor të biznesit. Nga ana tjetër, Ahmetaj u shpreh se çdo ditë po diskutohet me biznesin paketa fiskale dhe paketa incentivuese e turizmit.
“Sukses i qeverisë ka qenë reforma në energji, në administratën publike dhe reforma në pensione. Kemi miratuar ligjin për investimet strategjike, ligjin për PPP, ligjin për zonat e zhvillimit ekonomik dhe ligji për turizmin. Çdo ditë po diskutojmë me sipërmarrjen paketën fiskale, ku është edhe paketa incentivuese e turizmit, ku të ardhurat për këtë vit pritet të jenë 1.7 mld euro. Me rëndësi është reforma derregulluese për shmangien e burokracive mbi sipërmarrjen, ku 130 dokumente po i kalojmë online, duke i kursyer biznesit 56 vite”, u shpreh Ahmetaj