Kandidatura e zv/drejtoreshës së policisë i është dërguar KLP-së. Reagon ambasadorja amerikane: Gur, gur bëhet mur
Pas tetë muaj verifikimesh, SPAK ka zgjedhur Kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kështu FBI-ja shqiptare pritet të drejtohet nga Aida Hajnaj, që deri tani ka mbajtur postin e Zëvendësdrejtores së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kandidatura e propozuar do të votohet tani në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku mjafton një shumicë e thjeshtë votash nga 9 anëtarët e tij, për miratimin e saj.
I gjithë procesi ka patur një rrugë të gjatë verifikimesh. Listat e kandidatëve që aplikuan u filtrua disa herë për të mbërritur në fund me katër kandidatë, Aida Hajnaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj, të katër me formim policor. Por SPAK ka përjashtuar tre kandidatët e tjerë dhe ka vendosur që t’i propozojë KLP-së vetëm emrin e Hajnës, e cila nëse do të zgjidhet do të ketë një mandate 5-vjeçar.
Trajnim në akademinë e FBI-së në Virxhinia
Menjëherë pasi Hajnaj të marrë pëlqimin e KLP-së, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit do të nisë procesin për përzgjedhjen e 60 hetuesve të kësaj strukture. Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK dhe ka një ngjashmëri me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye hetuesit dhe drejtuesi i BKH-së do të trajnohen për tre muaj në akademinë e FBI-së në Virxhinia.
Reagon ambasadorja amerikane
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, reagoi pas propozimit të Aida Hajnaj Veizit për postin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Një tjetër hap përpara në rrugën e reformës në drejtësi, teksa Komiteti Përzgjedhës për Drejtuesin e BKH-së ka dërguar në KLP për aprovim emrin e Aida Hajnaj. Hapi tjetër: Stërvitja në FBI me ligjzbatuesit më të mirë amerikanë. Gur, gur bëhet mur”, shkroi Yuri Kim në Twitter.