Aktualitet Aishe Haklaj, motra “në hije” e familjes tregon si e përjetoi Fatmiri...

Aishe Haklaj, motra “në hije” e familjes tregon si e përjetoi Fatmiri vdekjen e Azem Hajdarit

Aishe Haklaj është një prej motrave të familjes nga Tropoja, e cila ka qenë një nga më të njohurat e viteve ’97-2000.

Ajo ka dalë për herë të parë në një intervistë, ku edhe ka treguar detaje lidhur me momentet që kishte kaluar me vëllezërit.

Ndryshe nga Zylfia, e cila është njohur gjerësisht si “Shota” pasi vrau disa persona për të marrë hakun e vëllait, Aisha ka pasur një profil më të tërhequr.

Madje edhe në Suedi ajo ka vijuar të punojë si mësuese.

Gjatë intervistës për “Top Story”, ai tregoi çfarë dinte për vrasjen e Azem Hajdarit, pas një bisede me të vëllanë, Fatmirin.

“Kur e kam pyetur për vrasjen e Azem Hajdarit, kur i thashë që more më qafë tjerët që kishte me vete, ai më është drejtuar: kur një njeri të sulmon për ta marrë jetën, çfarë do të bësh ti, do ti ngresh duart lart apo do ti thuash, këtu jam, vetëm bjeri këmbëzës. Dhe koka e tij është varur, dhe ndoshta gjysëm ore se ka ngritur”, tregon Aishe Haklaj.

Edhe Zylfija, thotë se Azemi u vra nga i vëllai, Fatmir Haklaj, jo Jaho Mulosmani.

“Sali Berisha mund ta ketë nxjerrë në pritë Azemin, duke pasur parasysh takimin e Azemit me babain, mund ta ketë kërcënuar i ka thënë ke bërë marrëveshje me Haklajt, e mund ta ketë detyruar të dalë”, tregon Zylfije Haklaj

“Fatmiri tregoi që Azemi doli me pistoletë, erdhi në drejtimin tonë dhe shoqëruesit e tij ishin me armë automatike dhe s’kishte rrugë tjetër, dhe Fatmiri është kacafyt me Jahon e Naimin, nuk donin ta linin të dilte nga makina”, tregon Zylfije Haklaj.

Kur Hajdari i është afruar automjetit, ai ka shkëmbyer disa fjalë me Fatmirin i cili më pas e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi. Plumbat i marrin jetën në vend truprojës Besim Çerës ndërkohë Hajdari ndërron jetë pas disa orësh në spital. I plagosur lehtë mbeti edhe Zenel Neza.

Plumbat që dolën nga kallashnikovi i Fatmir Haklajt, gabimisht i morën jetën edhe mikut të tij Naim Çangu. Sipas motrës së Haklajve, Aishe Haklaj, e cila rrëfeu se vrasja e Naimit ndodhi pasi ky i fundit shkoi për ti bllokuar armën, në mënyrë që të ndalte plumbat mbi Hajdarin.

Por Fatmir Haklaj është trembur për një moment dhe ka kujtuar se pas tij po vinte truproja e Azem Hajdarit. Për këtë arsye, është kthyer pa vëmendje dhe ka qëlluar me breshëri mbi Naim Çangun.

Më pas, Fatmiri e ka tërhequr deri te makina Çangun e plagosur dhe e ka transportuar drejt spitalit, ku ndërroi jetë disa orë më vonë. Vdekja e Çangut ishte një barrë e rëndë për Fatmirin. Arma e tij i kishte marrë jetën një prej miqve më të afërt.