Kryesore “Dhëmb për dhëmb me regjimin e Ramës”, Berisha shpall betejën pa kthim...

“Dhëmb për dhëmb me regjimin e Ramës”, Berisha shpall betejën pa kthim në rrugë

“Dhëmb për dhëmb me regjimin e Ramës”. Kështu u shpreh Sali Berisha në një deklaratë për mediat, teksa shpalli betejën e opozitës në çdo skaj të vendit dhe pak minuta para mbledhjes së Këshillit të i Mandateve për seancën e heqjes së imunitetit ndaj tij.

“Jam sot këtu për të shpallur fillimin e betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, sheshet e saj në cdo skaj të vendit. PD është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb sundimit të Edi Ramës të bazuara në krimin drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Sot çdo demokrat i vërtetë ndihej luftëtar i lirisë, i betuar për shembjen e narkodiktaturës, shembjen e regjimit, i cili u grabit votën shqiptarëve, i cili u kontrollon vullnetin shqiptarëve, vjedh ata si kurrë ndonjëherë në histori, për shembjen e regjimit i cili asgjësoi parlamentin pluralist, duke iu mohuar opozoitës të drejtat kushtetuese, shembjen e regjimit më armiqësor që shqiptarët kanë patur”.

Sipas tij me regjimin e Ramës do të shfaroset kombi ynë. “Sot të dhënat e fundit tregojnë se numri i shqiptarëve në Shqipëri është jo më shumë se një milionë e gjysmë banorë. Në rast se vazhdojmë me Ramën ne do të firmosim symbyllurazi shfarosjen tonë”.

Berisha theksoi se parlamenti është kthyer në zyrë noterie për aktet e paligjshme.

“Sot, njëlloj si në diktaturë, dikur hetuesia speciale e Sigurimit të Shtetit, larot e Edi Ramës, prokurorë mercenarë, paraqitën në Komisionin e Mandateve të parlamentit, pasi kanë kryer puçin kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Edi Ramës, pasi kanë shkelur me dy këmbë nenin 73 dhe 38 të Kushtetutës së vendit, ata sot paraqiten si gardë pretoriane mbi parlamentin, mbi Kushtetutën, për të kërkuar jo vendosjen e masave siç e kërkon Kushtetuta, por për të kërkuar legjitimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e këtij vendi, jo se ka ndryshuar gjë, se në akuzë janë zero, po se unë kundërshtova këtë vendim si një element të puçit të shtetit brenda shtetit, të Edi Ramës, marrjen e pushtetit të parlamentit nëpërmjet mercenarëve në gjykata dhe prokurori.Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat e tyre me urdhër politik Kushtetutën e vendit. Gjë të cilën nuk mund ta bëjë kurrë asnjë njeri në Shqipëri, as presidenti, as kryeministër, atë mund ta bëjë vetëm parlamenti dhe sovrani popull në referendum.

Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi i kanë hequr parlamentit kompetencën kushtetuese për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së deputetit, siç bënë ata me heqjen e lirisë Sali Berishës për largimin jashtë shtetit.

Sot pra, ata shkojnë si përfaqësues të Edi Ramës, mbi Kushtetutën, mbi parlamentin, poshtërojnë në këtë mënyrë institucionin qendror të një republike parlamentare, de facto sot një narkorepublikë apo republikë e bandës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”.