Mëso nga dje, jeto për sot, shpreso për nesër. -A. Ajnshtajn
Më 18 prill të vitit 1955, u shua një yll nga Konstelacioni i Mendjeve të Shquara, të shek XX -, A. Ajnshtajni. Lindi në Ulm të Gjermanisë në 14 mars të vitit 1879. U bë i famshëm me Teorinë e Relativitetit, por çmimin Nobel në fizikë e mori në vitin 1921 për zbulimin e ligjit të fotoefektit. Ajnshtajni ka botuar më shumë se 300 punime shkencore dhe 150 vepra jo shkencore.
Ajnshtajni si shkencëtar është vlerësuar në dhjetëra e qindra libra të autorëve me origjinë
të ndryshme nga të gjitha vendet e botës. Por ajo që bie në sy dhe që është e përbashkët për të gjithë është madhështia e tij për t’i parë problemet me një sy tjetër të ri, ndryshe nga ai tradicional., guximi intelektual për të hedhur poshtë përkufizime e përfundime që ishin pranuar si të vërteta në shekuj, kur në fakt nuk dolën të tilla. Fantazia, imagjinata e fuqishme si dhe gjenerimi i ideve revolucionare ishin tiparet themelore të Ajnshtajnit shkencëtar. Në punën shkencore synonte të gjente ligjin bazë fizik, i cili të mund të pohonte bindjen e tij filozofike se ekziston bota objektive e cila i nënshtrohet vetëm ligjeve të shkakësisë, ku subjektiviteti nuk ka asnjë rëndësi.
Ajnshtajni karakterizohej nga një lloj ungjillizimi intelektual. Për miliona njerëz në të gjithë botën ai u bë “ylli Polar”, “arketipi “i shkencëtarët të mirëfilltë, sinonimi i gjeniut, personi fikimi i” mëndjes që flet “. Vetëm një mëndje e tillë zotëronte dhuntinë e parashtrimit të mprehtë të gjërave. Ai nuk besonte në Zotin antropomorf, por në Zotin – shkencë., në epërsinë e njerëzimit. Ai nuk besonte në jetën pas vdekjes, por në pavdekësinë përmes veprave të mira.
Në shumicën e njerëzve, Ajnshtajni përfytyrohet si një gjeni që është marrë me probleme të mëdha shkencore dhe askush nuk do t’a mendonte se ai mund të gjente kohë e të merrej edhe me probleme të “vogla”,shoqërore. Duke e përfytyruar kështu, shpesh herë i japim të drejtën vetes për injorimin e një pjese shumë të rëndësishme të krijimtarisë së tij. Ajnshtajni kishte aftësinë të futej shpejt në problemet e ndryshme dhe të dallonte thelbin e tyre, t’i formulonte qartë, shkurt dhe logjikisht. Këtu ishte përherë i fortë. Ai orientohej shpejt në gjetjen e rrugës më të shkurtër për t’u futur në brendësi të problemit dhe për të flakur gjithçka të tepërt që e largonte nga thelbësorja. Kështu ndodhte edhe me problemet shoqërore. Ai merrte pjesë me gjallëri dhe jepte mendime të vlefshme, konstruktive dhe praktike.
I papërkulur ndaj çdo detyrimi, ai mbante qëndrim kritik për të gjitha çështjet. Ai nuk e pranonte besimin e verbër tek autoritetet. Ai mbështetej në radhë të parë, në arsyetimin e logjikën e tij. Që në rininë e tij Ajnshtajni, nuk i merrte parasysh opinionet e paragjykimet e të tjerëve ;tek ai u forcua bindja se liria për të menduar e për t’u shprehur dhe për të zbuluar ide të reja janë gjithmonë gjërat më të rëndësishme në jetë. Kjo e bënte atë të ishte gjithmonë objektiv në diskutime, debate, arsyetime e interpretime, i durueshëm dhe jo konformist. Ai nuk ishte meskin, gjithmonë dyshues dhe asnjëherë nuk pati mëdyshje në qëndrimin intelektual e pa kompromis për të vërtetën, virtytin dhe lirinë.
Ajnshtajni besonte në ideale të caktuara, të cilat e orientojnë njeriun drejt sjelljeve, gjykimeve dhe veprimeve të tij. “Në këtë pikëpamje unë asnjëherë nuk e kam parë qetësinë dhe lumturinë si qëllime në vetvete. Një ideal të tillë unë e quaj më të përshtatshëm për një ruajtës derrash” – thekson ai. Idealet të cilat e kanë udhëhequr atë dhe i kanë ndriçuar rrugën dhe i kanë dhënë kurajë janë e Vërteta, Mirësia dhe Bukuria.
Si mendimtar i thellë dhe pacifist i padiskutueshëm, ai shpreh fuqishëm idetë e tij në mbrojtje të vlerave të njerëzimit, si një njeri me botë të pasur intelektuale, si një luftëtar i mendimit të lirë, si një individ krijues e i pavarur, i cili dëshmon aftësitë e tij të shkëlqyera për të depërtuar në brendësi të problemeve shoqërore.Është e famshme letra e tij dërguar presidentit amerikan Ruzvelt, në vitin 1939, për t’a nxitur atë që Amerika të prodhonte bombën bërthamore para Gjermanisë. Kjo çoi në projektin “Manhattan”. Më vonë, ishte po ky, Ajnshtajni që denoncoi idenë e përdorimin e bombës bërthamore. Me filozofin britanik B. Russell, Ajnshtajni nënshkroi manifestin Russell – Ajnshtajni, i cili vinte në dukje rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.
Po edhe si humanist i madh, si mësues, pedagog e prind ai shpalos idetë e pikëpamjet e tij me modesti e sinqeritet për problemet sociale, për fenë e shkencën dhe raportin midis tyre, për edukimin dhe personalitetin e individit dhe lidhjen e tij me komunitetin., të cilat janë aktuale për shoqërinë, shkollën e institucionet tona.
Si intelektual ai është një luftëtar energjik për përsosjen e realitetit nëpërmjet gjenerimit të ideve të reja dhe ndjeshmërisë ndaj progresit, një kunderkonformist racional, që shpalos e promovon modele ideale të zgjidhjes së problemeve. Kësisoj ai shquhet për mendimet e tij për fenë, shkencën dhe raportin midis tyre, për edukimin dhe personalitetin e tij, lidhjen e tij me komunitetin, të cilat janë aktuale edhe në ditët e sotme.
Mbi të gjitha Ajnshtajni shfaqet si Njeri. Njeri model jo vetëm i Mënçurisë, Humanizmit, por edhe i Modestisë e Mirënjohjes. Modestia dhe thjeshtësia ishin ishin karakteristikat më virtuoze të Ajnshtajnit. Kur mori titullin profesor, Ajnshtajni ruajti si përherë thjeshtësinë e tij duke mos ndryshuar asgjë në pamjen e tij të jashtme apo në mardhëniet me kolegët. Ai gjithmonë prirej drejt pikëpamjes se njeriu duhet t’i largohet egoizmit dhe vuajtjes nga prangat e pasurimit. Atij i mjaftonte një mobilim i thjeshtë i përbërë nga një tryezë, një dollap e dy karrige. “Që në vitet e rinisë – theksonte ai – unë e urreja banalitetin e grykësisë njerëzore : pasurinë, lavdinë, luksin….. Mirësia, bukuria dhe e vërteta – ja idealet që ndriçuan rrugën time të jetës ;ato përsëri e përsëri më jepnin gëzimin e burrërinë”.Atë e tërheq fuqishëm jeta e thjeshtë, bashkëpunimi me njerëzit që kanë mendime të përbashkëta me të, lufta për të vërtetat objektive, drejtësi dhe përgjegjësi sociale. “Unë besoj se jeta e thjeshtë është e mirë për të gjithë, si nga ana fizike ashtu edhe mendore”.
Ajnshtajni, gjatë gjithë jetës së tij, ka shfaqur mirënjohje dhe respekt të veçantë për paraardhësit e tij, duke i vlerësuar në mënyrë kritike veprat e tyre, duke u dhënë atë çka meritonin. Që kur ishte student, Ajnshtajni pranonte se Galileo Galilei ishte babai i fizikës dhe i metodës shkencore. Njutonin e quante krijuesin e sistemit logjik gjithëpërfshirës të fizikës, kurse personaliteti i Keplerit e robëronte me besimin që kishte te harmonia e ndërtimit të Botës. Në vitet e pleqërisë, shprehte respekt e mirënjohje për leksionet e profesorit Karl Fridrih Kajzer. Mirënjohje, respekt dhe modesti ai shpreh edhe kur cek problemet e edukimit :”Unë nuk mund të pretendoj aspak se jam një autoritet në këtë fushë, siç kanë qenë personalitetet inteligjentë dhe me botëkuptim të shquar të të gjitha kohërave, të cilët kanë trajtuar problemet e edukimit dhe kanë shprehur qartë në mënyrë të përsëritur pikëpamjet e tyre për këto probleme…”
Përpjekjet për të kuptuar, puna intelektuale apo përvetësimi i dijeve janë ato elementë që e lartësojnë njeriun dhe e pasurojnë natyrën e tij. Historia e njerëzimit tregon se të gjitha arritjet me vlerë, qofshin ato materiale, shpirtërore dhe morale që ne marrim nga shoqëria janë realizuar gjatë brezave të panumërt nga individ krijues. Është e arsyeshme në parim, që njerëzimi i çmon më shumë ata, që kanë kontribuar në jetën e njerëzimit. Dhe nëqoftëse përpiqemi të gjejmë se kush janë këta do të gjëndemi në një situatë të vështirë, por nga shembujt që sjell Ajnshtajni në artikujt e vet, në respekt dhe mirënjohje të tyre, mësojmë se kontributin më të madh në lartësimin e njerëzimit e kanë dhënë shkencëtarët, mendimtarët e mëdhenj të historisë, filozofisë, ekonomisë, pedagogjisë dhe artistët. Nuk mund të flitet për rastin e udhëheqësve politikë e në përgjithësi e politikanëve dhe të udhëheqësve fetarë e misionarëve të fesë. Sepse është shumë e dyshimtë në se ata kanë bërë më tepër mirë apo më tepër dëm. Vlera e vërtetë e një qënieje njerëzore, sipas Ajnshtajnit, përcaktohet në radhë të parë nga shkalla dhe ndjenja me të cilën ai ka arritur të çlirohet nga vetvetja. Një qind herë në ditë ia kujtoj vetes se jeta ime e brendshme dhe e jashtme varet nga puna e njerëzve të tjerë, të gjallë e të vdekur dhe se unë duhet të përpiqem të jap po aq sa kam marrë apo ende po marr prej të tjerëve Të brendshme janë kërkesat dhe dëshirat e njeriut, të jashtëme – bashkëveprimi me njerëzit e tjerë, të gjallë e të vdekur. Kësisoj, çdo njeri në jetë vepron jo vetëm nga kërkesat dhe dëshirat e tij të brëndëshme, por edhe nga shtysa e jashtëme e për rrjedhojë nuk mund të flitet për një liri njerëzore absolute në kuptimin filozofik, siç është kuptuar gabim tek ne kjo liri, gjatë këtij tranzicioni në shumicën e rasteve. Për Ajnshtajnin, qysh në rini, frymëzim ka qenë thënia e Shopenhauerit :”Njeriu mund të veprojë ashtu siç dëshiron, por nuk mund të dëshirojë ashtu siç mund të donte “Kjo thënie ka qenë për të edhe një burim i pashtershëm i tolerancës përballë vështirësive të jetës të tij dhe të të tjerëve. Për Ajnshtajnin liria absolute është një ideal utopist , që nuk mund të realizohet në jetën shoqërore dhe politike, por ai ishte i bindur se përpjekjet e njeriut për të realizuar në mënyrë sa më të plotë këtë ideal, asnjëherë nuk duhen rreshtuar .
Natyra gjithëpërfshirëse e ideve të tij ndoshta është më mahnitësja nga fakti se duke mos qenë specialist i edukimit ka arritur të formatojë për edukimin një filozofi dhe metodologji të re dhe t’a përcjellë atë nëpërmjet një mënyre inteligjente të qartë e të vendosur.
Edukimi i ndriçon rrugën një krijese të lirë dhe të pavarur. Në këtë kontekst, Edukimi përfaqëson për çdo individ zotërimin e pavarësisë së tij dhe zhvillimin e natyrshëm të vetvetes duke përmbushur në këtë mënyrë detyrën themelore të tij :lëvrimin e të gjitha aftësive njerëzore si një tërësi. Është ky këndvështrim i Ajnshtajnit që në të gjithë artikujt e tij për edukimin, ai jo pa qëllim i mëshon konceptimit të tij si përgatitje e individit për jetën duke e njohur atë me arritjet njerëzore dhe si përshtatje e tij ndaj ndryshimeve të kohës së tij, duke i siguruar atij zotësinë për liri individuale dhe jetë shpirtërore . Ai gjithashtu evidenton se nuk mund të ketë edukim cilësor pa një metodologji të mirë sepse “cilësitë morale rriten në vlerë kur ato theksohen nga cilësitë intelektuale”