Fitorja e zgjedhjeve në Kosovë nga Lëvizja Vetëvendosje u bë sot pjesë e diskutimeve në Komisionin për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-së, ku midis të tjerëve, po dëgjohet edhe kandidatja për ambasadore në Tiranë, Yuri Kim.
Senatorja Jeanne Shaheen e pyeti Kim për deklaratat e Albin Kurtit, kandidatit për kryeministër, për një integrim edhe më të madh midis Kosovës dhe Shqipërisë, çka ka shkaktuar shqetësime te Serbia.
“Nuk ka dyshim që SHBA mund të luajë një rol të madh në zgjidhjen e kësaj çështje. SHBA ka bërë investime të madha në rajon duke sjellë paqe dhe po punon me shtetet që të qëndrojnë të pavarura, në paqe dhe të punojnë si skuadër”, tha Kim.
“Ndryshimi i kufijve nuk është i dobishëm”, theksoi kandidatja për ambasadore.
Yuri Kim përsëriti disa herë se synimi i punës së saj si ambasadore në Tiranë do të jetë forcimi i institucioneve dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që Shqipëria të përmbushë kërkesat për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian.