Pa mbushur 50 ditë në krye të qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti po përballet sot me një seancë parlamentare për rrëzimin e qeverisë.
Duke folur nga Kuvendi, Kurti tha se ky mocion mosbesimi ka ardhur për shkak të pazareve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkëmbim territorial me Serbinë.
Kreu i Qeverisë ka deklaruar se Thaçi ia ka konfirmuar se ka një marrëveshje të gatshme Kosovë–Serbi dhe sipas tij, “ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë”.
“Doni ta lini popullin pa qeveri në këtë javë tepër të rëndësishme. Populli e di që unë nuk e kam mbështetjen e PAN-it e as të LDK-së po ju të gjithë e dini që unë e kam mbështetjen e qytetarëve”, thotë ai.
Kurti ka deklaruar se arsyeja se pse qeveria po rrëzohet është marrëveshja Kosovë-Serbi që përfshin shkëmbimin me territore.
“Ky mocion mosbesimi synon ta lërë popullin pa qeveri, atë qeveri që ata e kanë votuar. Për bindjen time të fuqishme mocioni për të shkarkuar qeverinë nuk ka të bëjë as shkarkimin e ministrit Veliu e as me tërheqjen e trupave amerikane, por ka të bëjë asgjë më pak me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë, ky është motori që po e shkakton këtë nxitim në Kosovë”, tha Kurti. “Ky pazar presidencial kërkon rrëzimin e qeverisë, pazari me këtë qeveri ku jam unë nuk bëhet. Thaçi provoi ta bëjë gjendjen e jashtëzakonshme nuk e bëri”.
Mocioni për mosbesim të Qeverisë të udhëhequr nga Grupi Paralamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbështetur nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Lista Serbe.
Në fjalimin e tij, Kurti, është shprehur se nuk është penduar që e ka shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, i cili sipas tij mban anën e presidentit Thaçi.
Si Kurti ashtu edhe deputetët e Vetëvendosjes deklaruan se ky mocion vjen në momentin më të papërshtatshëm të mundshëm për Kosovën
Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje akuzoi LDK-në se po bashkëpunon me Partinë Demokratike të Kosovës, duke mos respektuar vullnetin e qytetarëve.
“LDK sot bashkë me aleatët e vjetër të PDK-së po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën, kur bota po përballet me këtë pandemi si problem global. Kur qytetarët e Kosovës sot kanë sytë nga qeveria nga ministrat, LDK nuk ka asnjë aleat tjetër përveç kundërshtarëve të kësaj qeverie”, tha Selimi.
Kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike duket se ka ndarë edhe SHBA-në dhe Europën.
Ndërkohë që ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka shkruar në Twitter se është i lumtur që Kuvendi ka vendosur të mbajë këtë seancë, ministritë e jashtme të Francës dhe Gjermanisë i kanë kërkuar LDK-së të heq dorë nga mocioni dhe seanca.
Pas kërkesës të Francës dhe Gjermanisë, drejtuar LDK-së që të heqë dorë nga mocioni, ka reaguar lideri i saj, Isa Mustafa duke thënë se bashkëpunimi me Gjermaninë dhe Francën sikurse edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian është me rëndësi themelore për LDK-në dhe për Kosovën.
“Kosova ka gëzuar përherë përkrahje të fuqishme të këtyre vendeve. Prandaj edhe e mirëkuptojmë shqetësimin e tyre për situatën aktuale në Kosovë. LDK ka bërë të gjitha përpjekjet ta bindim partnerin tonë të koalicionit për bashkëpunim me mirëkuptim por nuk kemi arritur. Në vend të kësaj VV ka ndërmarrë vazhdimisht veprime të njëanshme dhe për LDK-në të dëmshme”, ka shkruar Mustafa.
Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.