Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është një e drejtë e kësaj të fundit, por sidoqoftë, çështja është komplekse në këtë moment.
“Ne besojmë që Kosova duhet të jetë plotësisht vend sovran dhe i pavarur, kjo nënkupton edhe të drejtën për t’u bashkuar me një vend tjetër. Unë kam mendim kritik dhe nuk mund të mos e them se neni numër 1.1 i Kushtetutës bie ndesh me nenin 1.3. Neni 1 thotë që Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, neni 1.3 thotë që nuk mund të bashkohet me një shtet tjetër”, tha Kurti në një intervistë televizive në Kosovë.
“Unë besoj që shteti i Kosovës duhet të ketë sukses dhe të jetë i aftë për t’u bashkuar. Sot jemi të paaftë për t’u bashkuar dhe në fund të fundit kjo nuk varet vetëm prej nesh, por edhe prej Shqipërisë. Shteti i Kosovës nuk mund të mbijetojë i dobët. Por kjo nuk varet prej subjekteve politike. Prandaj synimi ynë është që të forcojmë shtetin e Kosovës”, shtoi ai.