Mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, shpjegoi edhe arsyet se pse është “ftohur” marrëdhënia e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Megjithatë, ai tha se kërkon të ketë marrëdhënie të mira me homologun shqiptar dhe se do ta takojë atë shumë shpejt.
Si janë raportet tuaja me Kryeministrin e Shqipërisë?
Raportet i kemi pasur shumë të mira, tash nuk mund të them se i kemi shumë të mira, por unë dua t’i përmirësoj ato për shkak se ne nuk jemi persona të veçantë, por krerë shtetesh.
Pse u prishët me Edi Ramën?
Besoj se kjo ka ardhur si rezultat i afërsisë së tepruar të Kryeministrit me Presidentin e Kosovës, në një kohë kur në Kosovë u zhvillua protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës pikërisht kundër Presidentit. Ishte protesta e 29 Shtatorit të vitit të kaluar, me parullën “një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”. Ai më pas mbështeti presidentin e Kosovës.
Keni pasur bisedime private për këtë çështje me Ramën?
Jam takuar me të në Dhërmi, në rezidencën qeveritare, kemi diskutuar për shumë gjëra, për aq shumë gjëra jemi pajtuar, sepse jemi bashkë në forumet ndërkombëtare të partive simotra. Por për këtë gjë për mua ka mbetur pak enigmatike se si bëhet që ai nuk shkëputet dot prej aventurës së Presidentit, prej akrobacionit të tij të rrezikshëm për shkëmbim territorial.
A ka ardhur ftohja juaj për shkak të interferimit tuaj në politikën shqiptare? Nga zërat për krijimin e LVV në Shqipëri.
Nuk ka të bëjë me atë, jo fare nuk ka të bëjë me atë.
Do të takoheni shpejt me Ramën?
Po.
Po me presidentin e Shqipërisë?
Po.
Keni raporte të mira me Presidentin Meta?
Po kam raporte të mira, kam shumë kohë që s’e kam takuar.