Gjatë një prononcimi për Ora News, aleatët e Partisë Demokratike, kanë thënë se ndoshta duhet ndryshuar strategjia e protestës.
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehu, ka kërkuar që kryetari i opozitës Basha, duhet që në ofertën e tij politike të fusë qeverinë teknike jo vetëm si garantuese të vetëm këtyre zgjedhjeve por të të gjitha zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen.
“Oferta politike është kjo që gjykoj unë: Një qeveri kujdestare që ripërsëritet çdo katër vjet tre muaj para zgjedhjeve. E dyta, në shkëmbim të saj të rihapen problematikat që kanë të bëjnë me drejtësinë, me ligjin. Sepse krijohet ideja se këto që janë këtu nuk e duan vettingun, këta e duan të parët. Nëqoftëse duhet të tremben nga vettingu, duhet të tremben këto të tjerët”, -deklaroi Shehu.
Ndërsa nga ana tjetër Nard Ndoka, i kërkon Lulzim Bashës që krahas protestës të jetë i hapur edhe për dialog politik.
“Të ketë një përgjigje politike përfundimtare nga zoti Meta jo të rrijë i dyzuar në presionin dhe presingun e kryeministrit Rama. Të shprehet publikisht dhe politikisht sesi e gjykon ai se mund të shkohet në zgjedhje pa standardet e zgjedhjeve dhe me një qeveri të inkriminuar”, -ka thënë Ndoka duke i bërë thirrje Metës për qartësim të qëndrimit të tij.
Nga ana tjetër edhe kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka folur me një gjuhë më të ashpër. Ai kërkon me çdo kusht radikalizimin e protestës, ku thotë se mostërheqja e Ramës mund të risjellë 97-tën.
“Do të jetë me pasoja shumë të rënda një konfrontim popullor mes popullit dhe qeverisë dhe kjo duhet medoemos shmangur, por këtë e ka në dorë vetëm një njeri, çmenduria ose gjakftohtësia e Edi Ramës.”
Opozita po diskuton mundësinë e rikthimit të një proteste tjetër në bulevard, ndërsa nuk dihet se çfarë do të bëhet me të ashtuquajturën “çadra e lirisë”.