Pasi ka arkivuar një fitore të vuajtur dhe me përmbysje kundër Lazios, Juventusi dëshiron të konfirmojë rolin e vet absolut në Itali. Kësaj here në çerekfinale të Kupës së Italisë, kundër Atalantës së drejtuar nga trajneri Gasperini.
Në konferencën për shtyp, trajneri Massimiliano Allegri bëri prognozën e ndeshjes së nesërme, duke marrë në konsideratë lojtarët e lënduar gjatë periudhës së fundit. “Pjanic dhe Khedira janë në dispozicion, Mandzukic duhet ta vlerësojmë, por më duket në rregull.
Cuadrado dhe Barzagli mbeten jashtë. Për fat të mirë, lëndimi i Bonucci-t është më pak i rëndë se sa pritej. Nuk do të jetë formacioni me të cilin startuam ndaj Lazios, do të ketë ndryshime. Disa do të vihen në pikëpyetje, ndërsa të tjerët do të qëndrojnë.
Për Caceres jemi duke u përpjekur të zgjidhim disa probleme dhe, nëse gjithçka shkon mirë, nesër do të jetë në dispozicion. Nëse është e nevojshme, mund të spostojmë De Sciglio në qendër të mbrojtjes”, – tha kreu i stolit bardhezi”.
Nëse situata është më e qartë për portën dhe mbrojtjen, ka shumë dyshime ende për mesfushën dhe sulmin. Allegri sqaron më tej: “Nesër luan Szczesny, Perin do ta ketë radhën në kampionat. Në qendër të mbrojtjes planfikoj Chiellini dhe Rugani, në të djathtë Cancelo. Në të majtë të mbrojtjes duhet të zgjedh midis Spinazzola dhe Alex Sandro.
Pjesa tjetër mbart ende dyshime për mua. Ka ende vlerësime për t’u bërë. Në mesfushë do të jetë Matuidi, sepse në kampionat sikur e “zuri gjumi”. Ronaldo në stol? Le të shohim, është e vërtetë se ndonjëherë e ke të vështirë për ta ndalur frymën e tij, por kjo është një javë e rëndësishme për ne”.
Atletico Madrid ka blerë Morata, një kundërshtar shtesë në fazat e eliminimit të Ligës së Kampionëve. Allegri “driblon” pritshmëritë ndaj të tijve këtë edicion: “Nuk është e shkruar askund se Juventusi është favorit absolut për të shkuar në finale. Kjo nuk është një mënyrë e mirë për t’i jetuar ndeshjet e Champions-it.
Nëse jemi të mirë, do të ecim përpara, por Atletico Madrid nuk është kurrsesi i lehtë për t’u kaluar. Ne kemi luajtur dy finale në katër vite. Në kampionat është krejt ndryshe, mund ta humbasësh ndonjë lojë, ndërsa në Europë nuk lejohen gabime”.