Kryeministri Edi Rama në një komunikim live në Facebook, është shprehur se falë masave të marra deri më tani si dhe respektimin nga pjesa më e madhe e qytetarëve, është vërejtur se kanë funksionuar në luftën për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ndërkohë sa i takon lejeve për dalje që nisën të aplikohen ditën e sotme, kreu i qeverisë tha se ka pasur disa probleme teknike në marrjen e tyre, dhe se sot dhe nesër edhe efektivët e policisë do të jenë të kujdesshëm dhe tolerantë për të mos aplikuar gjoba.
Ndërkaq ai ka kryer edhe disa telefonata me disa qytetarë të cilët kanë lënë shqetësimet e tyre në “Shqipëria që duam”, duke i pyetur se cili ishte problemi i tyre saktësisht për t’u ardhur në ndihmë.
Shqetësimet e qytetarëve kanë qenë lidhur me lëvizjet për të kryer kontrolle mjekësore, që nuk kanë lidhje me Covid-19, marrja e ilaçeve me rimbursim, ndihma ekonomike si dhe personave që kanë mbetur jashtë Shqipërie dhe nuk kanë mundësi të kthehen në vend për shkak të situatës.
Pjesë nga biseda:
Qytetari: Nga po më merr se jam fare i çorientuar?!
Edi Rama: Unë jam Edi Rama, po të marr nga zyra dhe po të marr se ke lënë një shqetësim, ke arsye shëndetësore apo ke problem gruan?
Qytetari: U puth fort prej së largu, kam operuar gruan dhe i kam bërë koronare, që në nëntor, dhe ajo ka një enjte të madhe në kofshë dhe nuk e lëviz dot këmbën fare.
Edi Rama: Nesër në mëngjes do vijnë mjekët në shtëpi, mos lëvizni nga shtëpia, do vinë mjekët në shtëpi dhe do të shohin çfarë ka.
Qytetari: Ju përqafoj fort, por s’ma merr mendja se je ti…
Edi Rama: Hap televizorin dhe më shikon…
Qytetari: Ua bëftë perëndia dritë dhe të kesh jetën e gjatë për Shqipërinë…
Edi Rama: Ta ketë jetën e gjatë gruaja, se e di t’i si bëhesh pa të apo jo?!