Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vijon të postojë në rrjetet e saj sociale video për punën e bërë në Shqipëri për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Sipas ambasadës së SHBA në Tiranë, mbi 1/3 e gjyqtarëve në Shqipëri me të ardhura 10 mijë dollarë në vit deklaruan pasuri që i kalonin 250 mijë dollarë, madje kishte nga ata që deklaruan dhe miliona dollarë.
Përfaqësia diplomatike amerikane bën me dije se do të vazhdojë të punojë me partnerët shqiptarë për të ndihmuar ngritjen e një sistemi drejtësie që është transparent pasi është kjo ajo që meritojnë qytetarët.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Çdo javë do të nënvizojmë një nismë që kemi ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Këtë javë, mësoni se si USAID ka punuar me partnerë për të përmirësuar sistemin gjyqësor prej vitit 2003. Ambasada e SHBA në Shqipëri do të vazhdojë të punojë me partnerët shqiptarë për të ndihmuar ngritjen e një sistemi drejtësie që është transparent, eficient dhe i lirë nga korrupsioni. Ky është sistemi i drejtësisë që ju, populli shqiptar, meritoni”, shkruan ambasada amerikane.