Kryesore Ambasada e SHBA: Basha dhe Kryemadhi të dënojnë dhunën, dëmtohet përpjekja e...

Ambasada e SHBA: Basha dhe Kryemadhi të dënojnë dhunën, dëmtohet përpjekja e Shqipërisë drejt BE-së

Në prag të protestës së re kombëtare të opozitës së bashkuar, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë ku komenton ngjarjet e protestës së 11 majit, duke i kërkuar liderëve të opozitës të dënojnë publikisht dhunën, por edhe forcave të rendit të vetëpërmbahen ndaj provokimeve.

Duke thënë që “protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore”, ambasada i bën thirrje me emër Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, të “dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore”.

Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që “të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik, sepse ky i fundit po dëmton “përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian”.