Ambasadori amerikan në Londër, Woody Johnson ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Kinës duke thënë se vendi komunist ka vënë në rrezik mbarë botën pasi ka fshehur informacione mbi koronavirusit dhe ka lejuar përhapjen e tij përtej kufijve të vendit.
Në një artikull të publikuar ditën e enjte në gazetën “The Times”, ambasadori Woody Johnson deklaronte se në fillim ata u përpoqën të fshihnin lajmin, më pas shtoi se Pekini përzgjodhi informacionet që donte të ndante me të tjerët, në kundërshtim me autoritetet ndërkombëtare të shëndetësisë.
Sipas ambasadorit “Nëse Kina do të kishte bërë gjënë e duhur, në momentin e duhur, shumica e popullsisë së saj dhe në botë, do të mund të kishin shpëtuar nga pasojat serioze që ka sjellë kjo sëmundje”.
Presidenti amerikan Donald Trump pohoi disa javë më parë se Pekini duhet të kishte vepruar më shpejt lidhur me ndërgjegjësimin e botës nga përhapja e sëmundjes. Ai gjithashtu hodhi poshtë kritikat se etiketimi i kësaj sëmundje si “Virusi kinez” është raciste.