Ambasadori gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf deklaroi se Bundestagu dha një “po” për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe shtoi se fakti që debati në Bundestag ishte i thellë, siç i tha një gazetar gjerman, është “shenjë që Shqipëria do të pranohet në familjen evropiane”.
“Bundestagu luan rol të fuqishëm dhe qeverisë federale i nevojitet konfirmimi i tij”, shtoi ambasadori.
Gjithsesi, Zingraf theksoi se “reformat e ndërmarra dhe ndryshimet e shqiptarëve duhet të shkojnë dhe më thellë”.
“Nuk bëhemi negociatorë për Reformën Zgjedhore”
Gjermania nuk mund të jetë negociator i palëve politike për Reformën Zgjedhore. Kështu tha ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, gjatë një konference për mediat në kuadër të nisjes së “Tetorit gjerman”.
I pyetur në lidhje me rolin që mund të luajë Gjermania në këtë proces, Zingraf, i cili e konsideroi pjesëmarrjen e të gjitha partive si një sinjal pozitiv, tha: “Jam i bindur plotësisht që zgjidhja për konfliktet politike vjen nga brenda dhe institucionet. Gjermania nuk është negociator. Kemi folur me partitë dhe kemi dhënë mbështetjen teknike. Në kuadër të Komisionit të Reformës Zgjedhore, një ekspert gjerman ka bashkëpunuar duke vendosur një draft në tavolinë. Mbi të mund të punohet”.