Politika Ambasadori i BE-së: Sistemi i drejtësisë t’i shërbejë popullit

Ambasadori i BE-së: Sistemi i drejtësisë t’i shërbejë popullit

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, deklaroi se me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, roli i Prokurorit të Përgjithshëm është forcuar dhe shtoi se shqiptarët duhet të kenë besim te këto institucione sepse ka ardhur koha që sistemi i drejtësisë t’i shërbejë atyre.

Këtë deklaratë, Soreca e dha gjatë konferencës “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme”, që u mbajt sot në Tiranë.

“Arritjet e fundit në sistemin e drejtësisë janë tepër të rëndësishme edhe për brezin e ri të prokurorëve dhe gjykatësve. Sistemi gjyqësor përballet me vështirësi në tërësi, sistemi duhet të jetë më efikas. Të miratohen më shumë të drejta për njeriun, më shumë hetime proaktive. E di që është më e thjeshtë të flasësh se sa të veprosh, por duhet profesionalizëm për të ecur përpara. Euralius është i gatshëm për asistencë. BE ka dhënë 34 milionë euro në lidhje me këto reforma, për ta bërë sistemin më efikas dhe kjo është puna jonë. Vitet e ardhshme ta bëjmë më efikas sistemin në drejtësi, që t’i shërbejë popullit shqiptar”, theksoi Soreca.