Kryesore “Amelika, Amelika, Gleneli, Gleneli”, Kurti tallet keq me Thaçin: President helaq

“Amelika, Amelika, Gleneli, Gleneli”, Kurti tallet keq me Thaçin: President helaq

Përplasja institucionale po kthehet tashme në një betejë personale mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit. Fjalori i përdorur nga të dyja palët gjatë ditëve të fundit ka nisur të ashpërsohet deri edhe në tallje dhe fyerje mes palëve. Kryeministri në detyrë ka bërë një koment tallës ndaj Presidentit Thaçi në rrjetet sociale.

Teksa e konsideron Thaçin si pjesë të regjimit të vjetër, Kurti thotë se rivali i tij politik po përpëlitet në studiot televizive në përpjekje për të qëndruar ende në politike përmes presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive. Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese“, shkruan Kurti në Facebook.

Ironia e Kurtit ndaj Thaçit vijon më tej duke e quajtur atë një President helaq.

“Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin e SHBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre. Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq. Ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI. Në cilën anë je ti?”, shkruan Kurti.

Thaçi dhe Kurti presin ende vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e mandatarit të qeverisë.