Lotaria amerikane është ëndrra e përvitshme e shumë qytetarëve. Edhe për Çlirim Tupin nga fshati Zabzun ishte e tillë derisa u shpall fitues. Por ëndrrat kthehen në makth nëse përpiqesh të gënjesh amerikanët apo të kryesh vepër penale sikundër veproi 36-vjeçari.
Pas një hetimi intensiv disa mujor Prokuroria mbylli hetimet dhe e dërgoi Tupin të pandehur në Gjykatë së bashku me një drejtor shkolle që ka vulosur dokumente false dhe e ka diplomuar, në një kohë që i dyshuari nuk e kishte frekuentuar asnjë ditë gjimnazin.
Në dokumentet e firmosura nga ish-drejtori i shkollës, Dashor Hysa, që do të gjykohet me të riun me falsifikim dokumentesh, për gjimnazistin e rremë përshkruhet se mëson me hope dhe sillet shumë mirë.
Këtë diplomë gjimnazi, 36-vjeçari nga Dibra e ka paraqitur në Ambasadën Amerikane për intervistën prej të cilës pas lotarisë ai priste të pajisej me vizë.
Por ndërkohë, siç kuptohet, amerikanet kishin kryer verifikimet e tyre, kishin shkuar në fshatin Dorëz në Librazhd, në shkollën “Shefqet Dosku” dhe kishin kontaktuar me stafin pedagogjik.
Zbulimi i amerikanëve ishte se fituesi i lotarisë kishte paraqitur dokumente false.
Në këto kushte pasi ka parë se ëndrra e tij amerikane u thye, i riu ka vendosur të thotë të vërtetën. Ai ka treguar se i duhej një diplomë dhe se kishte takuar një qytetar në Rrugën e Kavajës, të cilit i ka paguar 2 mijë euro për të marrë një vërtetim.
Policia shkencore i thotë Prokurorisë se shenjat e vulave në vërtetimin e shkollës së mesme i përkasin vulës së shkollës, ndërkohë Tupi nuk rezultonte i regjistruar në indeksin e amzës.
Por ish-drejtori i shkollës edhe ai i marrë i pandehur ka deklaruar se një i ri kishte shkuar në zyrën e tij dhe i kishte kërkuar një vërtetim notash dhe ai ia kishte dhënë pas një verifikimi në regjistrin e veçantë ku kishte parë që ky shtetas figuronte si nxënës i shkollës së mesme.
Por Prokuroria thotë se ish-drejtori nuk thotë të vërtetën dhe se zyrtari ka shpërdoruar detyrën duke mbajtur vulën jashtë shkollës dhe duke mos i vendosur numri protokolli vërtetimit që më pas është sjellë nga Librazhdi në Tiranë dhe është shitur për dy mijë euro./TCH