Analisti i njohur Afrim Krasniqi, ka thënë se kriza aktuale në Shqipëri ka potencial për t’u përshkallëzuar.
I ftuar në emisionin “Tempora”, Krasniqi tha se kancelaritë evropiane dhe jo vetëm duhet të dëgjojnë më shumë dhe t’i kushtojnë më shumë rëndësi situatës në Shqipëri.
“Kriza aktuale është një nga ato krizat e veçanta që gjithmonë tërheq vëmendje dhe ka potencial për t’u agravuar. Së dyti është situata në Ballkan. Ka një sërë vendesh në Ballkan ku ka gati zhvillime të njëjta dhe redaksitë e lajmeve janë të interesuara për të parë kush është perspektiva e Ballkanit ku Shqipëria bën pjesë, – u shpreh politologu. – Dhe së treti kancelaritë evropiane për shkak të nevojës për zgjedhjet europiane janë më shumë të interesuara për problemet e brendshme të BE-së sesa me vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë”.
Më tej Krasniqi ka thënë se ekspertët e vendeve janë aktivë në Tiranë, sepse vetë politikanët e vendeve të Ballkanit po merren me zgjedhjet në BE.
“Nuk është thjeshtë mungesa e vëmendjes në nivelet politike. Ekspertët e vendeve janë shumë më aktivë në Tiranë, sepse vetë politikanët po merren me zgjedhjet evropiane”.
Krasniqi e ka konsideruar një lajm të mirë për shqiptarët që mediat ndërkombëtare po i kushtojnë vëmendje situatës në Shqipëri.
“Për shqiptarët, tërheqja e vëmendjes së ndërkombëtarëve nuk është lajm i keq është lajm i mirë, sepse ato gjëra që nuk thuhen në Shqipëri jepen në mediet ndërkombëtare. Nëse censurohet në Shqipëri nuk mund të censurohet në mediat ndërkombëtare”, – deklaroi Krasniqi.