Kryesore ANALIZA/ Vetoja e pakuptueshme e Macron-it zhgënjen Ballkanin

ANALIZA/ Vetoja e pakuptueshme e Macron-it zhgënjen Ballkanin

Presidenti i Francës Emmanuel Macron e pengon BE-në, që të nisë bisedimet me shtetet e Ballkanit: Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një gabim, mendon Bernd Riegert.

Nga Bernd Riegert*

Zhgënjimi në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri është i madh. E kjo është e kuptueshme. Sipas Komisionit të BE-së, Parlamentit të BE-së dhe Presidentit të Këshillit të BE-së Donald Tusk të dy vendet nga Ballkani Perëndimor i kanë përmbushur kushtet për të filluar bisedimet e anëtarësimit me BE-në. Që nga viti 2003 vendeve të Ballkanit jashtë BE-së u është dhënë perspektiva për në BE. Që nga 2009 Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kriteret formale, e që nga 2018 e njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Pasi Maqedonia e Veriut tani e zgjidhi e grindjen për emrin e shtetit me Greqinë, Shkupi mendonte, se në këtë samit do të funksiononte.

Vetëm një president, francezi Emmanuel Macron, mbajti qëndrimin e refuzimit total. Ai tha jo për kandidatët dhe jo për procesin e anëtarësimit në përgjithësi. Dy të tjerë, kryeministri holandez dhe kryeministri danez, u fshehën pas hijes së tij dhe i refuzuan bisedimet me Shqipërinë.

Vetoja e pakuptueshme e Macron-it e zhyt BE-në jo vetëm në Ballkan, por edhe në Bruksel në një krizë të dyfishtë të besimit. Ç’vlerë kanë premtimet e BE-së, nëse pavarësisht reformave të zbatuara dhe të gjitha përpjekjeve në fund kandidatëve nuk u ofrohet gjë? Për çfarë i ekzaminojnë ekspertët në Komisionin e BE-së – gjithsesi i kritikuar – për vite me radhë këto vende në çdo organizëm, kur në fund mjafton një jo nga Parisi për t’i zhvleftësuar të gjitha rezultatet e ekzaminimit?

Presidentja e re e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, që shprehet për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, do ta ketë këtej e tutje të vështirë me rezistencën franceze. Në këtë drejtim nuk ndihmon as fakti, që Macron-i fillimisht ia siguroi asaj këtë post dhe tani ndihet i fyer, që kandidatja e tij franceze për Komisionin e BE-së dështoi. Macron është i indinjuar prej Brukselit. As përpjekjet e kancelares Angela Merkel, që është për zgjerimin e BE-së, për ta bindur Macron-in nuk ndihmuan.

Macron synon diçka tjetër

Kredibiliteti i BE-së dhe pasojat në shtetet e Ballkanit, pra zhgënjimi dhe zbehja e vullnetit për reforma, duket se nuk janë fort të rëndësishme për presidentin francez kundrejt argumentave të politikës së brendshme, që ai thekson. Natyrisht ai ka në kurriz një opozitë populiste të djathtë, që nuk do të emigrantë në Francë dhe lufton kundër BE-së. Por për këtë arsye nuk duhet të minohet politika e përbashkët e BE-së. Edhe në Gjermani populistët e djathtë e kritikojnë kursin e zgjerimit. Por deri tani kjo nuk e ka steputr kancelaren.

Bernd Riegert

Argumenti i Macron-it, se Shqipëria nuk mund të fillojë bisedimet e anëtarësimit, pasi shumë shqiptarë kërkojnë azil në Francë, gjithashtu nuk qëndron. Më 2018 vetëm 74 shqiptarëve iu dha e drejta e azilit në Francë. 8000 aplikimet e tjera kanë të bëjnë me migrantë ekonomikë, që mund të kthehen. Çështja është, se përse kushtet ekonomike në Shqipëri janë kaq keq, sa që kaq shumë njerëz duan të largohen. Procesi i anëtarësimit, që me siguri mund të zgjasë dhjetë vjet apo edhe më shumë, mund të shfrytëzohet për ta bërë edhe më të aftë këtë vend dhe për ta afruar tek standardet e BE-së. Kjo nuk nënkupton që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të hynin menjëherë në BE dhe se menjëherë do të vlente lëvizja e lirë e krahut të punës. Përkundrazi.

BE ka mësuar nga gabimet gjatë pranimit të Bullgarisë, Rumanisë dhe në një farë mënyre edhe bisedimet e nisura me Turqinë. Sot procedurat janë bërë edhe më të ndërlikuara e më rixhide. Një përshtatje e mëtejshme e normave, sikurse kërkon me të drejtë presidenti francez, realizohet gjatë bisedimeve dhe jo përpara. Procesi i anëtarësimit asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është një procedurë e ngurtë vetëm e përmbushjes së kritereve, por një proces ku reagohet ndaj zhvillimeve në vendet në anëtarësim. Shembulli më i mirë janë bisedimet që vazhdojnë prej 14 vjetësh me Turqinë, që për shkak të n devijimeve autokratike të presidentit Rexhep Taip Erdogan praktikisht ato janë pezulluar.

Pa perspektivën për të hyrë dikur në BE, paqja mes vendeve në Ballkan rrezikohet. Influenca e Rusisë, Kinës dhe Turqisë mund të rritet. Këtë nuk mund ta dëshirojë as presidenti francez.

Argumentet e Francës janë të dobëta. Emmanuel Macron duhet ta rimendojë veton e tij, nëqoftëse se nuk do që të tregohet si populist. Shansi tjetër është në samitin e dhjetorit.

*DW