Sport “Andorrën e mundnim edhe me magazinierin”, Hafizi ka kritika për Kombëtaren

“Andorrën e mundnim edhe me magazinierin”, Hafizi ka kritika për Kombëtaren

Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi analizoi mbrëmjen e djeshme triumfin e Shqipërisë në transfertë përballë Andorrës.

I ftuar në studion e “Supersport”, 65-vjeçari nuk i kurseu kunjat, teksa ironizoi duke deklaruar se Shqipëria mund ta mposhte Andorrë edhe po të ishte trajner magazinieri Fatos Kademi.

“Duhet të kritikojmë mënyrën e lojës. Andorrën e mundnim po të merrnim trajnerin edhe Fatosin që merret me fanellat dhe veshjet e Kombëtares.

Problemi është si ta krijojmë stilin e lojës, sepse jemi shumë larg. Duhet të marrim më shumë lojtarë nga Shpresat. Nuk kishim asnjë, përveç Uzunit. Kemi nevojë për lojtarë të rinj”, u shpreh Hafizi.

SISTEMI

“4-3-3 është një sistem i avancuar, dhe do një nivel të lartë. Ne nuk jemi aty ku duhet për këtë sistem. E përdorim më shumë për 4-5-1, se dhe dy anësorët më shumë kanë luajtur mesfushorë apo mbrojtësa. Unë do thosha, ne na shkon për shtat 3-5-2, edhe mesin e fushës e forcojmë. Me 2 mbrojtësat e qendrës, nuk kemi kapacitet për të luajtur me ta, që të nisin aksionet, të organizojnë e të markojnë. Gjimshiti nuk rreshtohet mirë, ia marrin topin, hamë gola. Nuk rreshtohet mirë me Mavrajn. Ky sistem mbeti që në kohën e De Biazit, dhe asnjëherë nuk i bashkoi 2 sulmuesë bashkë. Ajo që është më kryesorja, është se ne nuk kemi një bosht skuadra, pas 2016. Shtylla kurrizore është e pavendosur mirë, që ne të shpresojmë për këtë veprime, përjashto portierin. Sot, ndryshuan 5 vetë nga Turqia. Ende nuk kemi të qartë kush luan, në të gjitha linjat. Do vijë Roshi, do fusim prap Roshin. Jemi shumë të hallakatur, prandaj nuk kanë ndonjëherë faj edhe lojtarët. Jemi shumë të turbullt”, analizoi Hafizi.