Kryesore Stoli i Kombëtares, del në skenë emri ish-trajnerit të Italisë dhe i...

Stoli i Kombëtares, del në skenë emri ish-trajnerit të Italisë dhe i Besnik i Hasit

Shkarkimi i Kristian Panuçit ka vënë në lëvizje FSHF-në dhe njerëzit pranë Armand Dukës për të gjetur pasuesin e tij.

“Panorama Sport” mëson se në listë është shtuar edhe një emër i madh i futbollit italian, por edhe europian. Roberto Donadoni mësohet të jetë një tjetër emër i shtuar në listën e dëshirave.

Nga sa bëhet me dije, ish-trajneri i Kombëtares italiane të futbollit është kontaktuar nga përfaqësues të FSHF-së për të negociuar në lidhje me postin e trajnerit të Kombëtares. Trajneri nga Cisano e Italisë, me një CV shumë të pasur është momentalisht trajner i lirë dhe me sa duket ka qenë i hapur për të negociuar.

55-vjeçari ka drejtuar në të shkuarën Italinë apo edhe skuadra të rëndësishme të kampionatit italian, si Napoli apo edhe Bolonja. Kjo ka qenë edhe skuadra e tij e fundit me të cilën ndërpreu marrëveshjen në vitin 2018.

Edhe Besnik Hasi kandidat për Kombëtaren

Ndërkohë, në skenë ka dalë emri i Besnik Hasit.

Ish-mesfushori i shquar është një alternative serioze për të marrë drejtimin e Kombëtares. Aktualisht ai drejton skuadrën e Al-Read në Arabinë Saudite, por i skadon kontrata ne maj.

Hasi vazhdimisht ka shprehur dëshirën për stolin kuqezi, ndërkohë që në karrierën e tij ai ka fituar titullin si trajner me Anderlehtin dhe ka drejtuar më pas edhe Olimpiakosin dhe Legian e Varshavës.

Në listë për të marrë drejtimin e Shqipërisë janë edhe Edi Reja, De Kanio, etj.

Gjithçka pritet të vendoset në ditët e ardhshme.