Sport Andres Iniesta kthehet 4 muaj pas operacionit: Ndihem si 15 vjeç

Andres Iniesta kthehet 4 muaj pas operacionit: Ndihem si 15 vjeç

Pas 137 ditësh, 36-vjeçari Andres Iniesta është kthyer në fushë me Visel Kobe në kampionatin japonez, në ndeshjen kundër Sanfrece Hiroshima. Visel Kobi fitoi 3-0, ndërsa mesfushori i njohur spanjoll zbriti në fushë në minutën e 74-t, në vend të Inoue. Ai luajti minutat e para pas katër muajsh stop për shkak dëmtimi.

Don Andres bëri një ndërhyrje kirurgjikale më 15 dhjetor në Barcelonë, nga doktor Ramon Cugat. Ai kishte dëmtuar tendinën e bicepsit femoral të këmbës së djathtë. Bashkë me Emili Ricart dhe fizioterapistin Rober Galan, Injiesta ndoqi një program rigoroz rikuperimi në Kobe dhe arriti të lërë pas dëmtimin e pësuar në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve aziatike në dhjetor.

Me fitoren ndaj Sanfrece Hiroshima, Visel Kobe ruan serinë e rezultateve pozitive të këtij sezoni, ku ka humbur vetëm një ndeshje dhe mban vendin e 5-të me 23 pikë. I përjetshmi Iniesta ka postuar në Instagram foton e hyrjes në fushë, të cilën e shoqëron me këto fjalë: “Emocione shumë të mëdha të kthehem pas 4 muajsh, që më janë dukur shumë të gjatë. Tani ndihem si 15 vjeç. Kam qenë pak nervoz, por i kënaqur. Ka qenë një punë e madhe dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur”.