Të hënën, Gjykata e Apelit të Durrësit rrëzoi vendimin e shkallës së parë për Alket Hatinë dhe vendosi rikthimin e tij në qeli për qëllime ekstradimi. Por katër ditë pas këtij vendimi, policia e ka pasur të pamundur të ekzekutojë masën e arrestit apo të gjejë vendndodhjen e të dënuarin për trafik narkotikësh.
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai i tha BIRN se pavarësisht përpjekjeve maksimale për riarrestimin e Hatisë, gjetja e tij nuk është bërë ende e mundur.
“Sapo jemi vënë në dijeni nga Prokuroria e Durrësit për ndryshimin e masës së sigurimit në “arrest në burg”, efektivët e policisë kanë shkuar në banesën e Hatisë duke kërkuar arrestimin e tij, por nuk e kanë gjetur. Gjatë këtyre ditëve kemi kryer disa kontrolle në disa banesa “ tha Mullai.
“Shpresojmë që në ditët në vazhdim do ta riarrestojmë sërish,” shtoi ai.
Alket Hatija u arrestua me 8 korrik me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për shkak të një dënimi me 20 vjet burg, të dhënë në shtator 2016 nga Gjykata e Apelit të Milanos.
Më 11 korrik, Prokuroria kërkoi masën e “arrestit me burg” për qëllime ekstradimi përballë gjykatës, por gjyqtari Petraq Çurri urdhëroi lirimin e Hatisë me argumentin se në dosje mungonte një kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë.
Prokuroria apeloi vendimin dhe theksoi se me argumentin për Alket Hatinë, gjyqtari Çurri kishte bërë “ineficent sistemin e kërkimit ndërkombëtar”. Vendimi i lirimit shkaktoi revoltë edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku ministri Gazmend Bardhi kërkoi procedim disiplinor dhe inspektoriati i KLD-së e miratoi këtë kërkesë.
Në seancën e masës së sigurisë, të zhvilluar të hënën në Gjykatën e Apelit të Durrësit, Prokuroria paraqiti si provë edhe kërkesën e ministrit të Drejtësisë për aplikimin e masës shtrënguese të “arrestit me burg” për qëllime ekstradimi për Alket Hatinë. Megjithatë, largimi dhe fshehja e të kërkuarit e ka vështirësuar punën për kapjen e tij.
I pyetur nga BIRN se kush mund të mbajë përgjegjësi në kushtet aktuale, një prokuror u përgjigj se “juridikisht Prokuroria nuk mund të nisë akuzë për largimin e të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
“Gjykata e shkallës së parë Durrës ka aplikuar masën e sigurimit “Detyrim paraqitje”, duke mos kufizuar asnjë ambjent qëndrimi për Hatinë,” tha prokurori.
Alket Hatija u arrestua për herë të parë në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, të cilat e akuzonin atë si pjesë të një organizate kriminale që kishte trafikuar qindra kilogramë heroinë në Itali me një vlerë të dyshuar tregu prej 35-40 milionë euro. Çështja u transferua në Shqipëri dhe pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg në vitin 2010.
Hatija u lirua para kohe nga burgu në vitin 2014, pasi gjykata e quajti të drejtë kërkesën e tij për ta shlyer pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi për shkak se “bashkëshortja vuante nga sëmundje kronike”.