Prej më shumë se tre javësh, Italia po përballet me epideminë e koronavirusit. Shpërthimi nisi fillimisht në rajonin e Lombardisë, për t’u përhapur më pas në të gjithë veriun e vendit. Tashmë raste ka edhe në jug.
Ferdinando Marino, zv.drejtor i televizionit të grupit Medianordest, në një apel për qytetarët paralajmëron se projeksionet flasin për një përhapje të frikshme të sëmundjes edhe në rajonin e Venettos. Ai thotë se spitalet po shkojnë drejt pikës, ku nuk mund të pranojnë më pacientë.
“Jemi pranë pikut. Duhet të rrini në shtëpi. Më 15 mars do të kemi pikun në urgjencë. Ajo që po ndodh në Lombardi, do të ndodhë edhe në Veneto. Nuk është shaka”, thotë ai.
Marino apelon që të gjithë të qëndrojnë në shtëpi, në mënyrë që të minimizohen kontaktet dhe si pasojë edhe përhapja. Për shkak për pamundësisë së spitaleve për të përballuar të sëmurët, Marino thotë se autoritetet do të detyrohen t’i boshatisin ato nga të sëmurët, për t’u shërbyer pacientëve me Covid-19.
“Ka pacientë edhe të rinj, edhe në moshë të mesme. Mos dëgjoni budallallëqet që thuhen. Nuk është grip i thjeshtë. Thuajuani të gjithëve. Brenda 15 prillit mund të jenë prekur 2 milionë banorë të Venetos. Nëse nuk rrini në shtëpi. Thojuani atyre që shpërndajnë budallalëqe në Facebook, nuk është grip normal. Prej 21 shkurtit jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Kjo varet nga ne. rrini në shtëpi. Është e gabuar të dilni nga shtëpia. Çdo gjë varet nga ju. Në ditët e ardhshme ka rrezik që të boshatisim spitalet për t’i mbushur me pacientë me Covid. Rrini në shtëpi”, thotë ai.