Opinione Shqipëria që lufton, kundër Shqipërisë që ankohet

Shqipëria që lufton, kundër Shqipërisë që ankohet

Nga Reldar Dedaj

Nga njëra anë janë mjekët, infermierët, specialistët, që papushim dhe mbi të gjitha të ekspozuar ndaj një rreziku shumë të madh, po luftojnë vazhdimisht për ndalimin e epidemisë. Nga ana tjetër, shumë njerëz po luhaten mes panikut të pakontrolluar dhe indiferencës njerëzore. Këto janë dy Shqipëritë në kohën e koronavirusit.

Ky skenar, i shkaktuar në vend nga kjo epidemi, po shpërfaq çdo ditë pamje të pabesueshme. Shkolla, institucione publike, lokale, restorante, palestra dhe pub-e që nën kërcënimin e forcave policore nisin të mbyllen, e nga ana tjetër turma të rinjsh që mësyjnë bareve dhe rrugëve të kryeqytetit, pavarësisht gjëndjes dhe rrezikut potencial që i kanoset jo vetëm shoqërisë në përgjithësi, por edhe secilit prej tyre, zbuloi padashje dy Shqipëritë: atë që lufton dhe atë që ankohet. Një pjesë e vendit që po lufton për të mundur virusin Covid-19 dhe pjesa tjetër që ende se ka kuptuar peshën e situatës.

Shqipëria që lufton

Në mesin e atyre që luftojnë ka heronj të heshtur: mjekë, infermierë, specialistë që me turne dhe pandalesë, mbi të gjitha të ekspozuar ndaj rrezikut, po mbajnë mbi shpatulla peshën e vërtetë të saj. Sot, mjeku Ilir Allkja, pjesë e Urgjencës Paraspitalore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është vetëkarantinuar, deri në konfirmimin se nuk është i prekur nga Covid-19. Ai dhe dhjetra mjekë të tjerë po punojnë për të parandaluar këtë pandemi botërore, që fatkeqësisht ka mbërthyer edhe vendin tonë.

Po luftojnë bizneset familjare, të cilat po shohin frutin e një jete që po shkatërrohet para syve të tyre, gjithashtu po luftojnë qindra apo dhjetra punëtorë që rrezikojnë të humbasin punët e tyre, nëse ekonomia e vendit nuk gjenerohet. Po luftojnë strukturat policore dhe ato ushtarake, që në pjesë të ndryshme të vendit, janë rreshtuar për të zbatuar masat parandaluese të marra nga qeveria.

Luftës i janë bashkuar edhe shumë personazhe të njohur në vend, intelektualë, këngëtarë, aktorë, gazetarë, të cilët më në fund e kanë kuptuar se nuk është shaka dhe kanë nisur një apel drejtuar qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. Apeli i këtyre njerëzve sot, ndoshta, ka më shumë vlerë se thirrja e një mjeku, i cili jo në pak raste është parë me skepticizëm nga popullata.

Shqipëria që ankohet

Me pak fjalë, ndërsa një pjesë e popullsisë po jep gjithçka nga vetja për të luftuar koronavirusin, ekziston edhe një Shqipëri tjetër që lëkundet mes panikut të pakontrolluar dhe indiferencës njerëzore. Nga sheshet, baret, spitalet, qendrat tregtare, dhjetra shqiptarë mblidhen së bashku pa asnjë pengesë.

Janë rreth 25 mijë persona që kanë ardhur nga jashtë, kryesisht nga zonat e prekura me koronavirus, pavarësisht pengesave, jo vetëm s’janë vetëkarantizuar, por s’kanë lënë bar, restorante dhe morte pa shkuar dhe vizituar. Situata duket edhe më serioze, pasi vërtetë ekzistojnë dy gjëra që nënvizojnë indiferencën totale. Jeta e natës që vazhdon në kryeqytet dhe shëtitjet e shumta të njerëzve tek Kodrat e Liqenit Artificial, kryesisht edhe pas apelit të fortë të të gjitha strukturave të specializuara mjekësore. Ishalla do Zoti që kjo ushtri njerëzish të pavetëdijshëm, që eglendiset rrugëve dhe lokaleve, s’na merr në qafë.