Aktualitet Arrestimi i gjykatëses së Krujës, Meta: Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi...

Arrestimi i gjykatëses së Krujës, Meta: Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi me regji

“Kush shkel ligjin dhe abuzon me detyrën duhet të ndëshkohet, por Shqipëria nuk ka nevojë për një drejtësi me regji”.

Ky ishte komenti i Presidentit Meta kur u pyet në Vlorë për prangosjen e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha. Por, kreu i Shtetit kërkoi nga SPAK të mos harrojë emrat e tjerë që ka mbi tavolinë.

“Për mua është shumë e rëndësishme që çdo njeri që shkel ligjin të ndëshkohet. Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi me regji. Prej kohësh, në SPAK janë edhe kallëzimet me prova dhe fakte për gjyqtarë të tjerë të një niveli edhe më të lartë. Unë jam në këtë detyrë për të mbrojtur kushtetutën dhe zgjedhjet e lira që janë në thelb të pluralizmit. Kush ka shqetësim nga angazhimi im, që t’u kujtoj qytetarëve shqiptarë që fuqia e vërtetë është vota e tyre. Kjo është detyra ime dhe unë do ta bëjë me bindje të plotë. Jam i sigurt që 25 prilli do të jetë një ditë e rëndësishme e afirmimit të lirisë dhe sovranitetit”, u shpreh presidenti Meta nga Vlora.