Pas përfundimit të takimit me të rinjtë e Korçës, në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u pyet gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat mbi çështjen e arrestimit të Redjan Rrajës përsa i përket atentatit të Shkozetit, ku një breshëri plumbash përfshiu makinën me të cilën po udhëtonte, ndër të tjerë, edhe prokurori Arjan Ndoj.
“Një luftë bandash në pushtet, nevojë akute për zgjedhje të parakohshme. Kjo do arrihet duke bashkuar vullnetet pozitive të shqiptarëve. Nuk ka ndryshim pozitiv qe mund ta ndalë bashkëpunimi i qeverisë me krimin”, u shpreh Basha.
Përsa i përket banderolës ironizuese të vendosur në Korçë, kryeopozitari deklaroi: “Nuk ka gënjeshtër qe mund të më heqë nga detyra. Gënjeshtrat kundër meje dhe familjes time janë një përpjekje cinike e Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga lista e gjatë e skandaleve të tij. Nuk bëhem pjesë e kësaj loje. Jam në një tur takimesh nëpër Shqipëri për të diskutuar gënjeshtrat e qeverisë dhe rrugët e daljes.”