Dy persona janë arrestuar për mashtrim nga Policia e Tiranës, gjatë një aksioni të koduar “juristët e rremë”. Të arrestuarit janë 48-vjeçarja me iniciale M.F. e dënuar më parë për mashtrim, dhe i riu me iniciale N.Sh. 24 vjeç.
Dy të arrestuarit prezantoheshin si juristë të një institucioni të Shqipërisë dhe mashtruan dy persona duke iu kërkuar një shumë të konsiderueshme parash, me qëllim për t’iu siguruar leje zhvillimore e licencë për ushtrimin e aktivitetit të mësimdhënies në një komunitet fetar.
Ata u arrestuan në flagrancë në momentin që do të takoheshin me dy personat e mashtruar për t’u kërkuar paratë. Policia thotë se gjatë arrestimit 48-vjeçarja dhe 24-vjeçari bënë rezistencë dhe kundërshtuan uniformat blu. Atyre iu sekuestruan dy celularë, automjeti dhe dokumente të ndryshme. Të arrestuarit akuzohen për mashtrim, falsifikim të dokumenteve, përvetësim të titujve dhe detyrës shtetërore, goditje për shkak të detyrës dhe kundërshtim të punonjësit të policisë.