Këngëtari i çmimit Grammy R Kelly është arrestuar në Çikago, për krime seksuale. 52-vjeçari është arrestuar të enjten nga policia e Nju Jorkut dhe hetuesit e departamentit të sigurisë.
Ndaj tij rëndojnë 13 akuza për krime seksuale, përfshirë këtu pornografi dhe pengim i drejtësisë, sipas zyrës së prokurorit të SHBA në Çikago.
Këngëtari i muzikës R&B i ka mohuar akuzat ndaj tij për dekada me radhë. Në 2008 u akuzua për pornografi me të mitur, por gjykata e shpalli të pafajshëm. R Kelly u vendos në qendër të vëmendjes muajt e fundit edhe falë dokumentarit “Surviving R Kelly”, në të cilin rrëfeheshin histori mbi abuzimet seksuale të këngëtarit me fëmijë të moshave nga 13-16 vjeç.
Në qoftë se akuzat ndaj tij provohen, Kelly mund të përballet me dënimin 30 vjet burg. Kelly akuzohet nga 3 vajza të mitura dhe 4 gra, mes të cilave edhe ish-bashkëshortja e tij, për abuzim seksual.
R Kelly është autor i disa hiteve botërore, si “I believe I can fly”, që kanë shitur më shumë se 75 milionë disqe, duke e renditur në majat e suksesit në fushën e rrymës R&B.