Bota Salvini mori para nga Rusia? Prokuroria e Milanos nis hetimet

Salvini mori para nga Rusia? Prokuroria e Milanos nis hetimet

Prokuroria e Milanos po heton rastin e pagesave të mundshme nga Rusia për partinë e ekstremit të djathtë, Lega Nord.

Lajmi u bë publik nga agjencia e lajmeve ANSA, por mbetet e paqartë nëse hetimet kanë nisur tani apo prej kohësh. Të mërkurën revista online “Buzzfeed” raportoi se dispononte një regjistrim audio ku konfirmohet takimi i një ish-zëdhënësi të ministrit të Brendshëm nga Lega, Mateo Salvini me një politikan të afërt me Kremlinin.

Në bisedën e zhvilluara para zgjedhjeve europiane flitet se si Lega mund të siguronte para nga Rusia, përmes një afere të madhe nafte. “Buzzfeed” e konsideron këtë takim si një dëshmi tëre për marrëveshjet e fshehta mes Moskës dhe partive populiste të djathta në Europë.

“Qëllimi në dukje ishte një biznes nafte, por në thelb synohej minimi i demokracisë liberale dhe krijimi i një Europe nacionaliste në aleancë me Moskën”.

Në shkurt revista investigative italiane “L’Espresso” pati raportuar për bisedime të fshehta duke përmendur gjithashtu anëtarin e Legas Gianluca Savoini i cili shoqëroi Salvinin në Moskë. Nëse është zbatuar marrëveshja e arritur gjatë takimit dhe nëse partia e Salvinit i ka marrë ndihma financiare nga Rusia, kjo mbetet e paqartë. Salvini pretendon se nuk ka marrë asnjë cent nga Moska dhe se do të ngrejë padi kundër artikullit. Kreyministri Giuseppe Conte tha se drejtësia duhet të thotë fjalën e saj lidhur me rastin, por theksoi se ka besim tek ministri i brendshëm.