Bota Arrihet marrëveshja, Turqia tërheq veton: Finlanda dhe Suedia drejt anëtarësimit në NATO

Arrihet marrëveshja, Turqia tërheq veton: Finlanda dhe Suedia drejt anëtarësimit në NATO

Kryeministrja suedeze Andersson me presidentin turk Erdogan

Turqia ka tërhequr veton për hyrjen në NATO të Suedisë dhe Finlandës. Tri vendet kanë firmosur një memorandum të përbashkët në Madrid. Firma u hodh në praninë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, presidentit finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministres suedeze në përfundim të një mbledhjeje që zgjati pothuajse katër orë.

Turqia “mori atë që kërkonte” nga bisedimet me Suedinë dhe Finlandën për anëtarësimin e tyre në NATO: mori “bashkëpunimin e plotë” të Helsinkit dhe Stokholmit kundër PKK dhe aleatëve të saj.

Presidenti i Finlandës Niinisto tha se vendimi erdhi pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët “për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit”, pas takimit në samitin e NATO-s në Madrid.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Më 13 maj, Turqia kundërshtoi anëtarësimin e dy vendeve skandinave, me arsyetimin se po strehonin persona të grupeve terroriste kurde.