Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku është e ftuara e radhës sot në “Open” me Eni Vasilin në ekranin e Top Channel.
E pyetur se nëse mendonte se koha e detyrës së saj të përkohshme do ishte kaq e gjatë, Marku ka folur fillimisht për arsyen se pse nevojitej një Kryeprokuror i përkohshëm.
“Në një nga ligjet, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, në ligjin për funksionimin dhe organizmin e prokurorisë, në një dispozitë kalimtare të këtij ligji parashikohej se nëse Këshilli i lartë i prokurorisë nuk do zgjidhej në kohë dhe gjatë kësaj periudhe mbaronte mandati i prokurorit që ishte në detyrë aso kohe, funksionet e prokurorit të përgjithshëm do t’i ngarkoheshin për t’i kryer një nga prokurorët me më shumë eksperiencë, që kishte përfunduar magjistraturën apo që kishte një gradë shkencore në drejtësi, që kishte një eksperiencë pune mbi 15 vjet në sistemin e prokurorisë dhe do caktohej me vendim të kuvendit për t’i ushtruar detyrat e prokurorit të përgjithshëm në mënyrë të përkohshme”, tha ajo.
Marku tha se në këtë mënyrë u shmang ngërçi ligjor që mund të krijohej nëse KLP do vononte të ngrihej.