Akademiku Artan Fuga tha në emisionin “I Ftuari” në A2News se një qeveri teknike, me një tjetër kryeministër, nuk është garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Profesori shprehet se procesi zgjedhor dhe ligji elektoral është antikushtetues sepse ne nuk votojmë deputetët drejtpërdrejtë, por votojmë partitë.
Fuga thekson se siguri jep një kuadër ligjor dhe i agjencive të cilat realizojnë sistemin e zgjedhjeve, i cili të jetë i drejtë dhe të shprehet vullneti popullor.
“Unë kam dy shqetësime intelektuale. Nëse ne do të kishim një qeveri tranzitore me një kryeministër tjetër ose të ndërtuar në mënyrë tjetër… A jep kjo siguri brenda këtij sistemi ku jemi që zgjedhjet të jenë të kësaj natyre që rezultati të jetë i pastër? Unë nuk jam i sigurt për këtë. Nuk jam i sigurt edhe me precedentin që Rama e përdor. Në zgjedhjet e kaluara u ndërtua një qeveri, ku Rama rrinte më shumë në fushatë dhe qeveria ishte pothuajse inekzistente dhe pothuajse në dorën e shumë personaliteteve që kishte sjellë PD. Ne jemi sot në situatën ku opozita thotë se edhe atëherë janë grabitur vota.
Nëse do të kemi një qeveri tranzitore, me një kryeministër tjetër socialist, çfarë sigurie më jep mua si qytetar, apo si studiues që zgjedhjet do të jenë të ndershme. E dyta, nëse ne në çdo proces zgjedhje ne do të kërkojmë rrëzimin e qeverisë jashtë kadencave elektorale, jashtë cikleve elektorale, ne do të futemi në një skizofreni tjetër. Në një skizofreni ku do të bëjmë zgjedhje për të zgjedhur një qeveri, e cila do të jetë legjitime dhe në prag të zgjedhjeve do ta heqim këtë qeveri me anë të rrugës sepse zgjedhjet na japin një produkt që zgjedhjet nuk mund të organizojnë zgjedhjet.
Në këto kushte ku jemi, opozita nuk ka asnjë garant që zgjedhjet do të jenë të drejta, ku elektorati do të vijë në mënyrë të padevijuar. Kjo, pasi sistemi jonë elektoral është totalisht i dështuar. Për mua këto nuk më japin siguri. Mua më jep siguri një kuadër ligjor dhe i agjencive të cilat realizojnë sistemin e zgjedhjeve, i cili të jetë i drejtë dhe të shprehet vullneti popullor. Procesi zgjedhor dhe ligji elektoral është antikushtetues sepse ne nuk votojmë deputetët drejtpërdrejtë, por votojmë partitë”, u shpreh Artan Fuga.