Në njoftimin e përditshëm të task-forcës së koronavirusit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se do të nisë shpërndarja e 1.2 milion maskave kirurgjikale në çdo strukturë shëndetësore.
Manastirliu theksoi edhe një herë që nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vendin tonë me koronavirus dhe janë testuar 18 persona që kanë rezultuar negativ.
Këtë gjë e konfirmoi dhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, e cila më tej shpjegoi se po vazhdon kryeja e analizave dhe trajnimet për të gjithë punonjësit e shëndetit.
“Po vijojmë me trajnimet, në të gjitha nivelet, që nga vete Instituti i Shëndetit Publik deri në qelizë. Vijuam dhe përfunduam me traumën, urgjencën. Vijojmë me përditësimin e materialit, dhe pajisjen e strukturave me mjetet mbrojtëse personale”, tha Fiço.
Ndërsa drejtori i urgjencës Skënder Brataj u shpreh se që nga data 23 qendra kombëtare e urgjencës ka marrë 7745 thirrje, duke pasur një rritje me deri 45 për qind të numrit të thirrjeve dhe të vizitave njëkohësisht.