Aktualitet Vëllezërit Aliko vranë efektivin e RENEA-s në Lazarat, çfarë i kërkoi babai...

Vëllezërit Aliko vranë efektivin e RENEA-s në Lazarat, çfarë i kërkoi babai i tyre Henri Çilit

Burime jo zyrtare thonë se Çili është vënë nën përgjim teksa ka komunikuar me të atin e Arbion Alikos pjesë e grupit të zjarrit. Dyshohet se i ati i dy të burgosurve, Adil Aliko i ka premtuar para dhe prona Çilit në këmbim të lirimit të djemve të tij, bisedat mes Çilit dhe të atit kanë qenë nën përgjim qysh në shtator të vitit 2019 nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës.

Të përfshirë në bisedë përveç Çilit janë edhe disa shtetas të tjerë, Arbion dhe Alban Aliko, të dy të dënuar për aksionin e policisë në vitin 2015 ku mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha. Mësohet se Çili së bashku me shoferin e tij vijojnë të jenë në ambientet e brendshme të Policisë së Gjirokastrës.

Kujtojmë se Arbion Aliko është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij u dënua me 20 vjet burg në 21 mars 2018 për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha. Vëllezërit Aliko dhe persona të tjerë, dyshohet se ishin pjesëtar të të quajturit “grupi i zjarrit”, që qëlluan kundër policisë kur ajo u fut në Lazarat për aksionin e gjerë kundër drogës pesë vite më parë.