Paul Pogba iu është përgjigjur kritikëve të tij, ndër të cilët ka qenë edhe ish-kapiteni i Manchester United, Roy Keane. Francezi i ka rënë disi shkurt, duke deklaruar se “nuk paguhet për të folur”. Si transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit nga “Old Trafford”, kampionit të botës i është dashur të justifikojë pritshmëritë e mëdha, gjëje që nuk ia ka arritur sa duhet.
26-vjeçari pati probleme me Jose Mourinhon, pastaj “rilindi” me ardhjen e trajnerit Soskjaer, por në javët e fundit ka zhgënjyer sërish, duke marrë mbi vete mjaft kritika. Pogba ka krijuar “imunitet” me një trajtim të tillë, madje ka mësuar ta bëjë një vesh të shurdhër ndaj kritikëve. Francezi tha për RMC: “Nuk ka asnjë problem, që më kritikojnë. Atë punë kanë, paguhen për të thënë disa gjëra para kamerës. Unë jam i fokusuar vetëm në atë që ndodh në fushë. Ata mund të thonë çfarë të duan, paguhen për këtë. Unë nuk paguhem që të flas, por për të luajtur në fushë, që të luftoj për ekipin tim”.
Ndërsa nuk pranon të përfshihet në një betejë fjalësh për të tashmen, spekulimet vazhdojnë mbi të, se mund të largohet nga Manchester United. Real Madridi po e monitoron nga afër situatën e tij në Angli, duke shpresuar ta marrë në “Bernabeu” merkaton e verës.