Kur policia po kërkon të identifikojë një person të tretë që dyshohet se ka qenë në makinën që u bë atentat në Dobraç të Shkodrës më 30 Tetor, gazetarja Klodiana Lala hedh dyshime se aty mund të ketë qenë edhe një i katërt.
Ajo tha gjatë emisionit “Opinion” dy detajet që i shtynë efektivët e policisë të mendonin diçka të tillë.
“Kam dyshime të forta që Ibrahim Lici është gjetur në atë automjet. Nuk e di nëse është i njëjti person ose jo. Unë dyshoj që kanë qenë dhe më shumë. Pse nuk u fol natën e parë? Sepse natën e parë policia akoma nuk e kishte këqyrur të gjithë makinën e shënjestrave. Të nesërmen kur është bërë rikëqyrja e automjetit kanë rezultuar dy detaje që ngritën dyshime më pas për persona të tretë apo të katërt në këtë automjet. Pse e them këtë gjë? Në sediljen e pasme të automjetit janë zbuluar gjurmë të gjakut. Për pasojë personi i gjetur mbrapa ka qenë i plagosur. Ka qenë e hapur dera e pasagjerit në pjesën e pasme të makinës dhe pjesa para kur ka qenë tashmë i ndjeri Arlind Bushati. Janë gjetur tre pistoleta dhe njëra është përdorur dhe është përdorur nga personi i ulur në pjesën e pasme të automjetit”, tha gazetarja.
Lala u shpreh se automjeti që drejtohej nga Hamza Lici u qëllua për 150 metra. Pasi humbi kontrollin edhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Bashkim e Flutura Basha, të cilët humbën jetën, makina tip “Benz” përfundoi në një mur. Sipas gazetares, autorët kanë ndaluar dhe kanë qëlluar mbi 70 plumba që të siguroheshin për vdekjen e shënjestrës së tyre. Por teksa në videot e publikuara pas atentatit shfaqet një person me duart me gjak i cili kërkohet të identifikohet, gazetarja Lala thotë se Ibrahim Lici mund të jetë larguar me urgjencë për dy arsye.
“Ibrahim Lici unë dyshoj se ka qenë në automjet, por në momentin që ka dalë unë mendoj se është larguar me urgjencë. Pse e them këtë gjë? Nuk besoj se ka qëndruar për një arsye shumë të thjeshtë. E para sepse ai mund të ishte sërish në rrezik nga atentatorët. E dyta ishte në kërkim ndërkombëtar dhe rrezikon një dënim të përjetshëm për vrasjen e Endri Mustafës, po ashtu ka një sërë akuzash të tjera. Po ta shikosh ka një gjë. Policia në momentin që e ka konstatuar, janë pyetur punonjësit e policisë, por nuk e kanë identifikuar”, tha gazetarja.
“Për Hamza Licin nuk u hapën dyert e mortit”, dyshimi i gazetares: Në banesë mund të ketë qenë…
Gazetarja Klodiana Lala mendon se Ibrahim Lici ka qenë në makinën ndaj të cilës u bë atentat më 30 Tetor në Dobraç të Shkodrës.
Lala tha gjatë emisionit “Opinion” se dyshon që ai të jetë fshehur në banesën e tij, pasi varrimi i Hamza Licit u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u pranua askush, diçka e pazakontë sipas saj për traditat në veri. Sipas gazetares policia duhet të kishte kontrolluar edhe në banesën e tij.
“Nuk mund ta jap definitivisht, por unë mendoj që Ibrahim Lici ka qenë në atë makinë. Ajo çka më bën dyshime është një gjë. Lictë nuk e hapën, siç i themi ne në veri, derën e mortit, nuk pritën askënd. Ishte e para herë që në Shkodër varrimi i Hamza Licit u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u pranua askush. Unë mendoj që policia do duhej të kishte shkuar dhe të bënte kontroll brenda në banesë. Ky është dyshimi im. A mund të ngre dyshime unë si gazetare që ai mund të ketë qenë brenda në banesën e tij dhe mund të ketë marrë kurim aty? Ky është një dyshim. E dyta gjurmët e gishtërinjve që janë gjetur në pistoletë dhe në automjet janë gjurmë jo të plota. Duan një hetim më të thelluar, sepse duhet të kesh disa elementë për ta identifikuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, tha Lala.