Një konflikt që ka degjeneruar me goditjen e aktivistit, studiuesit dhe ish-drejtorit të Butrintit Auron Tare, ka ndodhur në Bënçë të Tepelenës.
Aty do ishte një dëgjesë publike lidhur me ndërtimin e një guroreje.
Tare ka pretenduar se është goditur nga një prej pronarëve të firmës që po kryen punimet për ndërtimin e saj.
“Nuk ka një shqetësim të madh, unë do të shkoj në komisariat që të bëjë një denoncim. Megjithëse banorë dhe unë patëm një vetëpërmbajtje, nga ky sherr i panevojshëm, më lejoni që t’iu shpjegoj se çfarë ndodhi. Ishte thërritur një dëgjesë për një gurore që do të ndërtohet në një zonë turistike, banorët ishin mbledhur, dhe unë arrita në cilësinë e vëzhguesit të turizmit, nga Bashkia e Tepelenës, nga kantieri kanë dalë tre pronarët, që janë vëllezër.
Kanë filluar që të qëllojnë njerëzit me shqelma dhe me grushta, unë isha në makinë, kur një prej vëllezërve nga xhami më qëlloi me grusht, më shau nga familja, fëmijët.
Ishte një skenë prej rrugëçërish, e cila duhet të marrë një mësim shumë të mirë, Policia ka shkuar në vendngjarje, për të parë situatën më tutje.
Unë jam larguar për të shmangur agravimin e mëtejshëm të kësaj situate, e tre njerëzve që e quajnë veten të fortë të zonës, dhe banorëve që nuk duan të dëmtohen kanionet.
Firma që ka marrë lotin e dytë të rrugës, ka marrë një leje nga Bashkia dhe për parkingun e mjeteve, mesa mësova nga banorët, kjo firmë kërkon ndërtimin e një gurore brenda kanioneve që është dhe zonë turistike”, ishte shpjegimi i Tares.
Kujtojmë se vitet e fundit, Auron Tare është investuar personalisht në shndërrimin e Nivicës në një atraksion turistik, aty e në të gjithë zonën përreth, si një pikënisje e projektit të “100 fshatrave. Për këtë arsye, ai e ka zhvendosur dhe një pjesë të jetës aty.