Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Avokati i Shtetit kanë apeluar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila rrëzoi aktin administrativ të AIDSSH-së për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Bujar Sheshi.
Në kërkesën për Gjykatën Administrative të Apeli AIDSSH dhe Avokati i Shtetit pretendojnë se vendimi i Shkallës së Parë është “në kundërshtim të plotë me ligjin, duke e lidhur këtë kundërshtim të këtij vendimi për sa i takon elementëve të tij, aspekteve procedurale, si dhe paqartësisë së formës lidhur me një saktësim të plotë e të qartë të situatës faktike, si dhe mosrespektimit nga gjykata të kufijve të shqyrtimit të padisë, në tejkalim të kompetencave”. AIDSSH po ashtu pretendon se ka një provë të re “e cila hedh dritë në proçesin në fjalë”.
Gjykata Shkallës së Parë Administrative rrëzoi një akt administrativ të AIDSSH-së i cili e shpallte Sheshin të papaërshtatshëm për të qenë anëtarë i KLP, për shkak se kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Sipas vendimit të Autoritetit i cili u bë publik në Janar të këtij viti, Bujar Sheshi është i njëjti person me “Bujar Rasim Shesha”, i cili sipas Kartelës Model 2, Nr.8023 rezulton i rekrutuar në vitin 1974 me pseudonimin “Venusi”, por dosja e tij është mbyllur pas 10 muajsh në tetor 1975.
Sheshi e ka mohuar kategorikisht të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit duke e konsideruar vendimin e Autoritetit si shpifje ai paditi AIDSSH-në duke kërkuar shfuqizimin e aktit të nxjerrë prej tij në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila i dha atij të drejtë. Gjykata arsyetoi se vendimi i AIDSSH-së ishte marrë në shkelje të kopetencave, jashtë afateve ligjore dhe se nga të dhënat nuk provohej që bëhej fjalë për të njëjtin person.
Avokati i Sheshit Julian Mërtiri e cilësoi vendimin si të drejtë duke theksuar se “Gjykata ka pranuar si plotësisht të bazuara pretendimet tona, që nuk është i njëjti person dhe që Bujar Sheshi nuk është bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, po ka kryer detyrën e tij si hetues në atë kohë,” tha Mërtiri për mediat.
Përkundër këtij vendimi Autoriteti dhe Avokati i Shtetit kanë apeluar duke pretenduar se vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së parë është marrë në shkelje të ligjit. AIDSSH po ashtu pretendon se ka një provë të re të cilën nuk pati mundësi ta paraqiste në gjykimin e mëparshëm.
AIDSSH pretendon në ankim se vendimi i Shkallës së Parë mbi kopetencën, kufizimin kohorë dhe bazueshmërinë në ligj të vendimit të autoritetit, është i pabazuar në ligj. Sipas Autoritetit arsyetimi i gjykatës se pas zgjidhjes si anëtar i KLP Sheshi nuk ishte më “në rrethin shterues” të personave për të cilat ai duhej të shprehej nuk ëhstë i ligjshëm. Po ashtu edhe pretendimi se vendimi bëhej i pavlefshëm për sa kohë nuk ishte paraqitur brenda 7 ditëve para komisionit që drejtohej nga Prokurori i Përgjithshëm dhe që kishte për detyrë të kryente verifikimin e kandidatëve për në KLP.
Në ankim argumentohet se AIDSSH nuk vepron bazuar në këto afate dhe se vendimi i tyre nuk mund të kufizohej në kohë për shkak të kompleksitetit të punës. “Ligji nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste te Shqipërisë”, nuk parashikon afate të prera për kthimin e përgjigjeve”, thuhet në ankim.
Autoriteti po ashtu pretendon se ai nuk mund ta ndërpriste verifikimin pa marrë një kërkesë për ta ndërprerë atë nga organi që e kishte vënë në lëvizje. Arsyetimin e gjykatës se Sheshi ishte emëruar dhe kjo e bënte procedurën të jashtëligjshme pasi anëtarët e KLP nuk përmenden në ligjin 45/2015, Autoriteti e kundërshton duke pretenduar se ishte “brenda domosdoshmërisë së përdorimit të informacionit” përsa kohë kishte “hapësira ligjore për shpalljen e pavlefshme të një vendimmarrjeje si të marrë në kundërshtim me ligjin”.
AIDSSH po ashtu pretendon se ka një provë të re për të dëshmuar se Sheshi kishte punuar me ish-Sigurimin e Shtetit. Në ankim përmendet një kallëzim i vitit 1980 nga një agjent i Sigurimit, procesverbali për të cilin ishte mbajtur prej Sheshit.
Sipas Autoritetit edhe pse në këtë kohë Sheshi ishte hetues, Hetuesia në këtë periudhë nuk ishte e ndarë nga Sigurimi i Shtetit dhe se brenda saj kishte degë të veçanta që funksiononin si pjesë të Sigurimit. “Rezulton nga ky vendim se, hetuesia ishte kthyer në shtojcë të sektorit operativ në zbatimin e ligjshmërisë. Pra në substancë dhe në akte ligjore provohet që Hetuesia dhe Sigurimi i Shtetit ishin struktura të pandara brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme deri në qershor të vitit 1983”, thuhet në ankim.
Po aty pretendohet se Sheshi kishte hetuar çështje që ishin në dosjet e ish-Sigurimit. “Kjo nuk e ndyshon faktin që informacioni i dhënë për paditësin me vendimin objekt gjykimi ka dalë nga këto dosje që janë dosje të ish-Sigurimit të Shtetit. Fakti i ekzistencës së emrit në këto dosje është i pakontestueshëm”, thuhet në ankim.
Pra sa më sipër, dhe bazuar në përkufizimin e Nenit 3 pika 5, të ligjit 45/2015, Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit janë “të gjitha mjetet bartëse të informacioneve të krijuara nga ish-Sigurimi”, të disponuara prej tij apo që i janë vënë në përdorim, pavarësisht nga forma e ruajtjes, vecanërisht por pa u kufizuar”, shihet qartë përdorimi i këtyre dokumenteve si informacione që janë vënë në përdorim strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit.
Nga të gjitha sa thamë më sipër dhe sipas provave që kemi paraqitur pranë të nderuarës gjykatë, vërtetohet që dokumenti që i vëmë në dispozicion gjykatës është dokument autentik i krijuar nga struktura të ish – Sigurimit të Shtetit dhe të gjendura në fondin arkivor të ish – Sigurimit të Shtetit.
Gjithashtu edhe nëse Hetuesia ka qënë institucion i veçantë, sic argumenton gjykata, kjo nuk e ndyshon faktin që informacioni i dhënë për paditësin me vendimin objekt gjykimi ka dalë nga këto dosje që janë dosje të ish-Sigurimit të Shtetit. Fakti i ekzistencës së emrit në këto dosje është i pakontestueshëm.
Ndërkohë rreth kësaj çështje ka një hetim të hapur nga Prokuroria e Përgjitshme akuzoi Autoritetin për vonesë në verifikimin e figurës së Sheshit.