Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi për mediat se Partia Demokratike nuk mund të vërë kushte për palën që ka përballë në një tryezë diskutimi.
“Çdo ditë e humbur është e shkuar dëm. Diskutimi i iniciuar nga OSBE është një qasje e parë për të kuptuar se çfarë artikulojnë partitë e vogla në lidhje me propozimet e tyre, megjithëse unë mendoj se e rëndësishme është adresimi i të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Gjiknuri është një ndër ekspertët më të mirë të reformave zgjedhore nga viti 2007. Është eksperiencë e dobishme për përkthimet e OSBE në amendamentet e reformës”, tha Balla.
“Asnjëra palë nuk mund të zgjedhë palën tjetër. Në parimet themelore të të drejtave të njeriut, askush nuk mund të paragjykohet sa kohë që nuk ka vendim gjykata që provon fajësinë e tij”, tha Balla duke iu përgjigjur Gazment Bardhit, i cili më parë theksoi se “Damian Gjiknuri dhe ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhjet duhet të ndiqen penalisht e të shkojnë në burg”.