Gratë dhe vajzat e Partisë Socialiste të Elbasanit festuan mes tyre 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, si një familje e madhe me plot suksese dhe sfida përpara.
Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini, Prefekti Gledian Llatja dhe deputetët Evis Kushi dhe Arben Kamami uruan gratë dhe vajzat e Partisë Socialiste në festën e tyre.
Balla tha se gratë e Elbasanit, ashtu si gratë e të gjithë Shqipërisë, kërkojnë mirëqenie dhe siguri për familjet e tyre dhe sigurisht që do ta kenë, pavarësisht përpjekje të opozitës për destabilizim:
“Shqipëria sot ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm, po të kemi parasysh që në Qershor ne presim që të hapen negociatat për anëtarësim në BE, që do të thotë një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit.
Është gjithashtu një moment i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Në kushtet ku jemi sot, kur opozita ka vendosur që të marrë një rrugë që as vetë nuk e dinë ku i çon, por është një rrugë që është kundër demokracisë, kundër zhvillimit, kundër punësimit.
Gratë e dinë më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë të kërkosh anarki, të sulmosh institucionet e shtetit, sepse e mbajnë mend vitin 1997.
Nuk ka asnjë shans që Shqipëria të kthehet në 1997, për këtë të jeni të sigurt.
Por, nga Elbasani unë do doja që të garantoja të gjithë shqiptarët, që ne jemi në rrugën e duhur; reformat që kemi ndërmarrë e çojnë Shqipërinë aty ku çdo nënë dëshiron që Shqipëria të shkojë, pra drejt BE-së” tha Balla.
Deputetja Evis Kushi nga ana e saj u ndal në nismat më të fundit drejt garantimit të shëndetësisë falas, nisma që synojnë ruajtjen dhe garantimin e shëndetit të gruas:
“Do të përmend 2-3 nisma që PS ka ndërmarrë së fundmi. Përveç, check up falas, pra kontrollit bazë shëndetësor, tani çdo grua mund të bëjë një mamografi falas në çdo cep të Shqipërisë, test për kancerin e qafës së mitrës falas dhe brenda Marsit do të ofrohet falas dhe testi për sindromën down tek gratë shtatzëna.”
Edhe Kryetari i Bashkisë dhe prefekti përcollën urimet më të mira për gratë dhe vajzat:
“Ju jeni pjesa më e mirë e PS, ju jeni pjesa më e mirë e jona dhe pjesa që del e para në çdo sfidë që ne kemi ” tha Llatja.
Partia Socialiste me ekipin e saj dhe sigurisht me forcën dhe grave dhe vajzave do të vazhdojë përpara rrugën e integrimit të vendit dhe reformave të rëndësishme që s’mund të ndalen tashmë, pavarësisht rrugës që ka zgjedhur opozita.