Politika Balla sulmon publikisht gjyqtarin: Është anëtar i KÇK

Balla sulmon publikisht gjyqtarin: Është anëtar i KÇK

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka sulmuar publikisht gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës Lazer Sallaku në lidhje me dosjen e privatizimit të OSSH-së, e njohur si afera e CEZ.

Duke folur për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Balla deklaroi se pushimi i hetimeve për këtë dosje do të apelohet.

Ndërsa gjyqtarin që ka gjykuar këtë dosje, Lazer Sallaku, e ka konsideruar si anëtar të KÇK-së, që sipas Kryeministrit Rama, ky grupim quhet “Kap Ça të Kapësh”.

“Dua t’i them gjyqtarit Lazer Sallaku që të heqë dorë nga vonesa për zbardhjen e dosjes së OSSH. Sot ka mbaruar afati që duhet të ishte shpallur vendimi.

Ky gjyqtar me shpresën që ne nuk jemi të vëmendshëm, dhe që ne nuk do ta apelojmë atë vendim, ja them publikisht këtij anëtari të KÇK-së në gjyqësor, se dosja OSSH nuk mund të mbyllet me vendime të turpshme të këtyre gjyqtarëve.

Dhe unë personalisht do ta ndjek sepse nëse ka një dosje në Shqipëri të qartë dhe e zbardhur qartësisht se si familjarë të Kryeministrit të asaj kohe merrnin kontakte me lobistë për privatizime të sektorëve strategjikë dhe që ne kemi dokumentuar në raportin e Komisionit Hetimor, të jeni të sigurtë që këto çështje nuk kanë për t’u mbyllur”, u shpreh kreu i grupit të PS Taulant Balla.