Kreu i grupit socialist, Taulant Balla, përsëriti sot në Parlament edhe një herë qëndrimin e maxhorancës se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen dhe kushdo që i pengon ato do të përfundojë prapa hekurave.
“Pengimi i qytetarëve për të shprehur të lirë votën dënohet me burg, duke filluar nga 5 vjet. Kush hakërrehet nëpër sheshe e nëpër rrugë se në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje, duhet ta dijë se nuk ka budallenj që të bëjnë burg për Lulin e Berishën. Nuk ka budallenj qe të guxojnë të ngrenë dorën kundër zgjedhjeve. Zgjedhjet e 30 qershorit do te behën”, tha kryetari i grupit parlamentar socialist.
Bala tha se rifillimi i punës së komisionit për reformën zgjedhore ka vetëm në kusht nga maxhoranca, përfshirjen në të të votës së emigrantëve, duke filluar nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, pasi nuk ka kohë më për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
“Ne nuk kemi asnjë kusht për reformën zgjedhore. Paraardhësve tuaj i kam thënë merrni letër të bardhe e bëjeni si të doni, sepse për ne është e rëndësishme të kemi zgjedhje demokratike, sipas standardeve”, u tha Balla deputetëve të rinj të dalë nga listat e opozitës. “Dhe zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë të lira e të ndershme. Kushti ynë i vetëm, dhe këtë do ta kenë si pikë kryesore përfaqësuesit tanë në komision, është përfshirja e votës së emigrantëve. Duhet t’ua mundësojmë të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, janë më shumë se 1/3-ta, ua kemi borxh këtu e 28 vjet”, theksoi Balla.