Opinione Ballkani një fushë beteje për propagandën iraniane

Ballkani një fushë beteje për propagandën iraniane

Lideri Suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei

Ekspertët paralajmërojnë se rajoni i Ballkanit është plot me shënjestra të lehta për Iranin në përballjen e tij me Shtetet e Bashkuara.

Nga Bojan Stojkovski / BIRN

Në fund të nëntorit, një artikull u shfaq në platformën online Medium, mesa duket, e postuar nga gazetari i New York Post Mark Moore.

Në të, shkrimtari që pretendon të jetë Moore, raportoi se shpresat e Shqipërisë për t’u pranuar në Bashkimin Europian kërcënoheshin nga strehimi i një grupi opozitar iranian dhe citoi komisionerin e atëhershëm të zgjerimit të bllokut, Johannes Hahn.

Vetëm Hahn nuk kishte ngritur kurrë shqetësime të tilla dhe Moore nuk e shkroi kurrë artikullin.

Në fakt, identiteti online i Moore ishte vjedhur nga një mashtrues që përhap propagandë pro-iraniane, një taktikë kjo që do të përhapej shumë menjëherë pas vrasjes së 3 janarit të gjeneralit iranian Qassem Soleimani nëpërmjet një sulmi me dron nga SHBA-ja në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Irani u përgjigj me sulme me raketa balistike që shënjestruan trupat amerikane në Irak dhe midis aktiviteteve të furishëm nëpër rrjetet sociale që pasuan këtë, ishte edhe një postim në Twitter që pretendonte se me qindra ushtarë amerikanë të plagosur ishin dërguar në një spital në Tel Aviv.

I dërguar nga një llogari e pa verifikuar që mban emrin e një gazetari izraelit që punon për gazetën Haaretz, postimi në Twitter u përhap shpejt dhe u mor nga një sërë mediash iraniane dhe të tjera në rajon.

Në fakt, gjatë sulmeve nuk u lëndua asnjë ushtar dhe llogaria në Twitter e cila mbante emrin e reporterit Jack Khoury u pezullua. Edhe ajo ishte përvetësuar dhe ishte lidhur me një llogari të rreme të Mark Moore që u mbyll gjithashtu ditën e sulmeve iraniane, sipas një hetimi të Daily Beast.

Llogaria e rreme që mbante emrin e Khoury nuk ishte limituar vetëm në Lindjen e Mesme. Para se ta mbyllnin, llogaria i kishte kthyer sytë edhe nga Ballkani, duke ia nisur artikullin e rremë të Moore një sërë gazetarësh në Ballkan.

Kjo ngjarje theksoi dobësinë e mundshme të rajonit të Ballkanit ndaj çdo përshkallëzimi në tensioneve midis Uashingtonit dhe Teheranit, ngjarje e cila mund ta shohë Iranin t’i kundërvihet interesave ose aleatëve të SHBA-së larg Lindjes së Mesme në një përpjekje për të shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë.

“Nëse armiqësia me SHBA-në, si dhe me Izraelin dhe Arabinë Saudite, thellohet, Irani mund të përpiqet të jetë më subversiv ndaj interesave të këtyre vendeve, pasi rajoni është i mbushur me objektiva të lehtë të lidhura me këto vende”, tha Vuk Vuksanoviç , një studiues në marrëdhëniet ndërkombëtare në London School of Economy.

Në Shqipëri, “Irani nuk mund të fitojë”

Irani ka kohë që është zemëruar me vendimin e Shqipërisë, sipas një marrëveshjeje të negociuar nga Shtetet e Bashkuara, për të ofruar strehë të sigurt në vitin 2014 për rreth 3,000 anëtarë të grupit opozitar iranian, MEK, të cilët më parë ishin të vendosur në Irak.

Irani thotë se MEK është një organizatë terroriste. Lideri fetar i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, së fundmi kritikoi Shqipërinë për pranimin e tyre dhe iu referua vendit si i “lig”.

Khamenei akuzoi MEK dhe SHBA-në për organizimin e protestave që tronditën vendin në nëntor 2019.

Historia e rreme në Medium tha se grupi përbënte një kërcënim për integrimin e Shqipërisë në BE dhe profili i rremë Khoury e pasoi atë me postime në Twitter ku shkruhej: “Kam marrë lajme të rëndësishme nga një miku im në Shtetet e Bashkuara për t’i botuar, por nuk e bëj dot këtë. Së pari, nuk kanë lidhje me rajonin ku unë punoj dhe, së dyti, jam nën mbikëqyrje, ashtu si pjesa tjetër e stafit të Haaretz, për shkak të disa artikujve të ndjeshëm që kemi botuar dhe zgjedhjeve parlamentare të Izraelit.”

Në tetor, para trazirave në Iran, Shqipëria tha se kishte shkatërruar një plan nga një qelizë paraushtarake iraniane për të sulmuar të dëbuarit iranianë të MEK. Autoritetet thanë se Forcat Quds të Iranit, në atë kohë të udhëhequra nga Soleimani, ishin ata që fshiheshin pas komplotit.

Analistët shqiptarë vënë në dyshim efikasitetin e çdo përpjekje iraniane, zyrtare apo ndryshe, për të përhapur propagandë në Shqipëri dhe për të vënë në provë besnikërinë e vendit ndaj SHBA-së.

“Në lidhje me propagandën, kjo është një luftë që Irani nuk mund ta fitojë, sidomos në Shqipëri”, tha Erl Murati, kryeredaktor i gazetës shqiptare Gazeta Shqiptare.

“Po flasim për një nga vendet më pro-amerikane në botë”, tha ai për BIRN.

“Propaganda e tyre po përpiqet shumë për ta portretizuar MEK si diçka të keqe, duke i quajtur ata terroristë. Ata pretendojnë se MEK mund të jetë një kërcënim edhe për Shqipërinë. Por nuk mendoj se kjo është e vërtetë, pasi anëtarët e MEK janë mirëpritur në Shqipëri që nga viti 2014 dhe ata jetojnë në paqe dhe harmoni me vendasit.”

Taktika të huazuara nga Perëndimi

Përpjekjet propaganduese të Iranit janë mëse të njohura nga kundërshtarët e tij, tha këshilltari i sigurisë dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Ali Nikouei.

“Më shumë se 50 për qind e llogarive të rreme në rrjetet sociale që luftojnë kundër regjimit vijnë nga SHBA-ja, Arabia Saudite, Izraeli dhe të tjerë”, tha Nikouei për BIRN.

Taktikat e përdorura nga Irani, tha ai, tashmë janë të njohura mirë nga Perëndimi.

“Ata kanë media në gjuhë të ndryshme, qendra kulturore në vende të ndryshme, financojnë OJQ në vende të ndryshme, mbështesin grupe fetare”, tha Nikouei.

“Por unë do të doja të theksoja se Irani nuk është i vetmi që po e bën këtë. Shumë vende të tjera që janë të përfshirë në çështjet iraniane po e bëjnë këtë gjithashtu.”

Vuksanoviç tha se aktivitetet e Iranit në Ballkan ishin përqendruar pikërisht në “propagandë dhe indoktrinim” përmes shkëmbimeve kulturore dhe bashkëpunimit me anë të bursave fetare.

“Nëse Irani do ta shtojë apo jo propagandën e tij, apo ndonjë aktivitet tjetër në rajon, kjo varet nga sa i kërcënuar ndihet ai”, tha ai.