Në Kryeministri u zhvillua aktiviteti për prezantimin e hapjes së garës për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku hapi zyrtarisht garën tenderuese për ndërtimin e aeroportit.
E ndërgjegjshme për pesimizmin që ka provokuar mbajtja pezull e këtij projekti, ministrja tha se hapi i sotëm është nisja e realizimit të premtimit të qeverisë për ta kthyer jugun e Shqipërisë në “hot spot” të Mesdheut. Ekskavatori i parë, do të nisë punën më 31 maj 2020, premtoi ajo. “Ndoshta mund të ndodhë edhe më shpejt”, tha Balluku.
“Sot Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës hedh hapin e parë dhe prej këtu nuk ka më kthim mbrapa, duke përmbushur kështu premtimin e Qeverisë për t’i dhënë jugut të Shqipërisë një aset kombëtar, që do t’i hapë zonës por edhe krejt vendit zhvillimin ekonomik dhe turistik që meriton”, tha Balluku.
Aeroporti do të bëjë më të aksesueshëm për turistët e huaj rivierën shqiptare, tha Balluku.